Në vitin 2024, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një Njësi Ekonomike Familjare (NjEF), e përbërë mesatarisht nga 3,1 persona, vlerësohen me 93.042 lekë. Ky tregues është 1,5 % më i lartëse në vitin 2023, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT). Shpenzimet gjithsej për konsum janë vlerësuar rreth 70,4 miliardë lekë në muaj.
Rritjet më të mëdha në mobilim, transport dhe veshje
Në vitin 2024, grupi me rritjen më të lartë të shpenzimeve mujore është “mobilim dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës”, me një rritje prej 5,7 %, krahasuar me vitin 2023.
Pas tij renditen grupet “transport” me 5,2 % rritje dhe “veshje dhe këpucë” me 4,4 % rritje.
Struktura e buxhetit familjar
Sipas strukturës së shpenzimeve mesatare mujore për konsum, grupet kryesore janë Grupi “ushqime dhe pije jo-alkoolike”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 36.879 lekë, që zë 39,6 % të buxhetit familjar. Nëngrupet me peshën më të madhe në këtë kategori janë “perime” me 19,4 %;“mish dhe nënprodukte” me 18,9 %; “bukë dhe drithëra” me 15,4 %. Grupi “shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike dhe qira e paguar” ka një vlerë mesatare mujore prej 8.944 lekë, duke përbërë 9,6 % të totalit të buxhetit. Grupi “restorante dhe hotele” arrin një vlerë mesatare prej 7.031 lekë në muaj, që përfaqëson 7,6 % të buxhetit gjithsej.
Analiza sipas grupeve të tjera
Në vitin 2024, shpenzimet për “mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje të banesës” u rritën me 5,7 %, krahasuar me vitin e kaluar. Kjo rritje erdhi nga shpenzimet më të larta për blerje pajisjesh të vogla si ato për përgatitjen e kafesë, çajit, ngrohës uji, thekëse buke, etj., si dhe riparime të ndryshme në familje.
Shpenzimet për “restorante dhe hotele” u rritën me 4,1 % krahasuar me vitin 2023, kryesisht për shkak të rritjes së shpenzimeve për shërbime akomodimi dhe strehimi.
Ndërkohë, shpenzimet për grupin “argëtim dhe kulturë” u rritën me 1,7 %, një rritje që erdhi kryesisht nga shpenzimet më të larta për paketa turistike brenda dhe jashtë vendit. Si pasojë, pesha e këtij grupi në shpenzimet mesatare mujore të NjEF është rritur.
Tirana me shpenzimet më të larta, Kukësi më i ulëti
Sipas INSTAT, në vitin 2024, njësitë ekonomike familjare të qarkut Tiranë shpenzojnë më shumë për konsum, me një mesatare prej 108.588 lekë në muaj. Qarqet e tjera me shpenzime të larta mujore për konsum janë:
• Korça: 91.418 lekë
• Durrësi: 90.218 lekë
Ndërkohë, qarqet me shpenzimet më të ulëta mujore për konsum janë:
• Kukësi: 75.048 lekë
• Dibra: 75.883 lekë
Në përfundim, të dhënat e vitit 2024 tregojnë një rritje të lehtë të nivelit të përgjithshëm të konsumit të familjeve shqiptare, të udhëhequr nga shtimi i shpenzimeve për mallra shtëpiake, transport dhe shërbime akomodimi. Ushqimi vijon të mbetet zëri kryesor në buxhetin familjar, duke përbërë pothuajse 40 për qind të totalit të shpenzimeve mujore. /ekofin.al

