Kreditë e marra nuk po shlyhen dot në afat për të dytin muaj rradhazi, një tregues që sinjalizon se tashmë ekonomitë familjare kryesisht, por edhe bizneset po përballen me efektet e para serioze të krizës së çmimeve.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në maj, treguesi i kredive me probleme arriti në 5.44%, nga 5.42% muajin e mëparshëm, teksa në mars shënonte nivelin më të ulët të viteve të fundit, 5.24%.
Rritja e raportit të kredive me probleme vjen pikërisht në kohën kur inflacioni ka kërcyer në shifrat më të larta të viteve të fundit, 7.4% dhe kur Banka e Shqipërisë po përpiqet ta frenojë përmes rritjes së normës bazë të interesave.
Në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi ta rrisë normën bazë të interesit në 1.25%, pasi në mars e kishte rritur me 0.5 pikë përqindje në 1%. Guvernatori Sejko paralajmëroi se rifreskimi i analizës dhe përditësimi i projeksioneve sugjeron se inflacioni në vend do të vijojë të mbetet i lartë gjatë vitit 2022.
Kjo rritje e normës bazë, pritet të sjellë rritje të mëtejshme të kësteve të kredive, gjë që mund të krijojë edhe më shumë vështirësi në shlyerjen e tyre për familjarët dhe bizneset.