Paratë e sekuestruara, pjesa e aksioneve policore, me urdhër të SPAK, janë rritur ndjeshëm përgjatë këtij viti. Gjatë periudhës janar-gusht të vitit aktual, Policia e Shtetit ka sekuestruar rreth 54 milionë euro, ku pjesa më e madhe e tyre është sekuestruar gjatë operacioneve të zhvilluara gjatë muajit qershor.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, totali i parave të sekuestruara në euro ka shënuar një rritje prej 72 herë. Kjo rritje e fortë tregon një përpjekje të shtuar nga forcat e rendit për të luftuar krimin ekonomik, por në anën tjetër dëshmon se krimi është fuqizuar më tej dhe paratë e pista, kryesisht euro, po vijojnë të dëmtojnë ekonominë kombëtare.
Nga ana tjetër, rastet e falsifikimeve kanë pasur një rritje të konsiderueshme, me 31 raste më shumë në 8 muajt e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në total, numri i rasteve të falsifikimit ka arritur në 316, duke përjashtuar muajt mars dhe prill, pasi Ministria e Brendshme nuk disponon të dhëna. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar numri i rasteve të falsifikimit ishte 285.
