Të dhënat e Prokurorisë së Përgjithshme në raportin e vitit 2025 flasin për një rritje të veprave penale në lidhje me taksat dhe tatimet, ndërsa fshehja e të ardhurave vijon të mbetet shkelja kryesore në këtë kategori.
Sipas raportit vjetor mbi gjendjen e kriminalitetit, edhe pse pesha specifike që zënë veprat penale në lidhje me taksat dhe tatimet ndaj totalit të procedimeve penale të regjistruara mbetet e ulët, në 0.94% në vitin 2025, Koeficienti i kriminalitetit për 100 mijë banorë për këtë grup veprash penale arriti në 10.75 në vitin 2025, krahasuar me 8.28 një vit më parë.
Raporti evidenton se gjatë vitit 2025 numri i procedimeve të regjistruara për veprat penale në lidhje me taksat dhe tatimet u rrit me 27.64% krahasuar me vitin 2024. Po ashtu, procedimet e dërguara në gjykatë u rritën me 14.29%.
Rritje të fortë ka pasur edhe numri i të pandehurve të regjistruar, me 90.91% më shumë krahasuar me vitin 2024. Ndërkohë, numri i të pandehurve të dërguar në gjykatë u rrit me 33.33%, ndërsa numri i të dënuarve nga gjykata ra me 20.78%.
Sipas raportit, të gjithë të pandehurit për këto vepra janë madhorë. Nga totali i tyre, 14.77% janë femra dhe 85.23% meshkuj. Për këto vepra penale janë marrë të pandehur edhe 5 shtetas të huaj.
Sipas raportit, numri më i lartë i procedimeve të regjistruara për krime në lidhje me taksat dhe tatimet është në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me 29% të totalit kombëtar.
Pas Tiranës renditen Durrësi dhe Vlora me nga 10% të procedimeve të regjistruara secila, Shkodra dhe Korça me nga 9%, Elbasani dhe Fieri me nga 8%, Saranda me 5%, Kukësi me 4%, Berati me 3%, Lezha dhe Dibra me nga 2%, ndërsa Gjirokastra rezulton me nivelin më të ulët, me vetëm 1% të procedimeve të regjistruara në rang vendi.
Vepra penale “Fshehja e të ardhurave”, e parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal, zë peshën më të madhe në grupin e veprave penale që lidhen me taksat dhe tatimet. Në vitin 2025 kjo vepër penale përbënte 65.75% të totalit të grupit, nga 58.29% në vitin 2024. Numri i procedimeve të regjistruara për “Fshehjen e të ardhurave” u rrit me 43.97% krahasuar me vitin paraardhës.
Ndërkohë, për veprën penale të parashikuar nga neni 180/a i Kodit Penal, që lidhet me moslëshimin e kuponit, dëftesës ose faturës tatimore dhe ushtrimin e aktivitetit tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar, pesha specifike në grup ishte 26.38% në vitin 2025, nga 26.13% në vitin 2024.
Procedimet për këtë vepër penale u rritën nga 52 në 67 raste në vitin 2025, ose me 28.85%.
Në të kundërt, procedimet për veprën penale “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve”, e parashikuar nga neni 181 i Kodit Penal, shënuan rënie. Pesha specifike e kësaj vepre në grupin e krimeve tatimore zbriti në 6.30% në vitin 2025, nga 12.06% në vitin 2024.
Numri i procedimeve të regjistruara për “Mospagimin e taksave dhe të tatimeve” ra nga 24 në 16 raste, ose me 33.33% krahasuar me vitin 2024.
Raporti i Prokurorit të Përgjithshëm evidenton gjithashtu politikën penale të ndjekur për këto grupvepra. Në 78.12% të rasteve prokurorët kanë kërkuar dënim me burg për të pandehurit, ndërsa në 21.88% është kërkuar dënim me gjobë.
Sa i takon masës së dënimit, në 52% të rasteve është kërkuar pezullimi i dënimit dhe vendosja në provë, ndërsa 38% e kërkesave kanë qenë në marzhin mesatar të dënimit të parashikuar nga dispozita dhe 10% në minimumin e parashikuar.
Gjykatat, sipas raportit, kanë vendosur dënim me burg në 80.33% të rasteve, dënim me gjobë në 19.67% dhe kanë shpallur pafajësi për 10.81% të të pandehurve.
Për masën e dënimit, gjykata ka aplikuar pezullim të dënimit dhe vendosje në provë për 65.31% të të pandehurve, minimumin e dënimit për 6.12% të tyre dhe dënim në marzhin mesatar për 28.57%./ekofin.al


