Rritja e normës bazë të interesit nga ana e Bankës së Shqipërisë ka nisur të reflektohet në normat e përfitimit nga letrat me vlerë të Qeverisë. Si bonot e thesarit, edhe obligacionet, kanë shënuar rritje të normave të interesit gjatë muajve të parë të vitit, të nxitura edhe nga pritshmëritë për rritje të inflacionit.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, interesat e letrave me vlerë të qeverisë prej javës së parë të muajit mars kanë regjistruar rritje të njëpasnjëshme. Ndryshimet në kahun rritës fillimisht kanë qenë minimale, ndërkohë që më pas reflektuan edhe ndryshimin e normës bazë, në disa tituj edhe përtej përcjelljes graduale të pritshme të këtij ndryshimi.
Më konkretisht, në fillim të muajit prill interesi i bonove 12-mujore arriti në 2.2%, duke regjistruar një rritje prej 0.60 pikë përqindje nga muaji janar; interesi i obligacionit 10-vjeçar u rrit me 0.65 pikë përqindje; ndërkohë që interesi 2-vjeçar shënoi një rritje të krahasueshme me atë të normës bazë, prej 0.5%.
Banka e Shqipërisë parashikon që kjo prirje rritëse të vijojë në mënyrë graduale, ndërkohë që normat mund të rriten edhe më tej nëse do të ketë një tjetër rishikim të normës bazë nga ana e institucionit qendror të politikave monetare.
Ekofin.al