Shqiptarët këtë vit po blejnë më shumë makina. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), për nëntë muajt e parë janë regjistruar 52 357 automjete të reja.
Kjo shifër është afërsisht e barabartë me regjistrimet e reja të kryera për të gjithë vitin 2020. Në mënyrë specifike, numri i autoveturave është në rritje që në fund të 9-mujorit. Sipas DPSHTRR, për nëntë muaj janë regjistruar 44 427 autovetura, në rritje me 1.75% krahasuar me vitin e plotë 2020.
Po ta bëjmë krahasimin mbështetur në mesataren mujore, këtë vit rezulton se janë regjistruar çdo muaj 4936 autovetura, në rritje me 35.7% krahasuar me mesataren mujore të vitit të kaluar. Autoveturat përbëjnë rreth 85% të mjeteve të reja të regjistruara.
Afërsisht 39% e mjeteve të regjistruara i takojnë drejtorisë rajonale të Tiranës, me një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2020, kur në Tiranë ishin regjistruar rreth 39.5% e mjeteve të reja.
Numri i automjeteve në Shqipëri po rritet me ritme të shpejta. Kështu, vitin e kaluar u regjistruan rreth 52 mijë automjete të reja, ndërsa u çregjistruan në mënyrë të përhershme vetëm rreth 3200 të tilla. Deri në mesin e këtij viti, në Shqipëri raportoheshin 711 359 automjete aktive ose të çregjistruara përkohësisht. Që nga fillimi i vitit e deri në fund të qershorit, numri i mjeteve që qarkullojnë është rritur me afërsisht 35 mijë mjete ose rreth 5.1%.