Gjatë vitit 2024, paraja elektronike ka njohur një zgjerim të ndjeshëm në përdorim dhe shtrirje.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të 2024 numërohen 5 subjekte që ushtrojnë veprimtarinë e pagesave dhe 10 subjekte që ushtrojnë aktivitetin e emetimit të parasë elektronike.
Aktivet e këtyre subjekteve janë rritur me 870 milionë lekë. Në përgjithësi, aktiviteti i subjekteve ka ardhur në rritje në këtë periudhë, por kryesisht në subjektet e Rubicon dhe IutePay.
Transaksionet e pagesave për vitin 2024 kanë njohur rritje në volumin e qarkulluar dhe numrin e tyre. Ecuria pozitive rezulton kryesisht në transaksionet në mbërritje.
Efekti pozitiv në rritjen e transaksioneve të pagesave vjen kryesisht nga rritja e nivelit të pagesave nga jashtë dhe pagesave me instrumente të tjera. Numri total i llogarive të parasë elektronike në fund të vitit 2024 është 269 765 llogari, nga 152 862 që ishin në fund të vitit 2023, duke u rritur me rreth 76%.
Rezultati neto i institucioneve të pagesave dhe të parasë elektronike shfaq rritje krahasimisht me periudhën paraardhëse, si rezultat i njëkohshëm i rritjes së të ardhurave nga komisionet dhe uljes së shpenzimeve të përgjithshme të veprimtarisë. /ekofin.al

