Bimët mjekësore janë një kategori tjetër në strukturën e bujqësisë shqiptare, që vijojnë të kontribuojnë në rritjen e eksporteve bujqësore “made in Albania”.
Sipas statistikave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, eksportet e bimëve mjekësore u rritën me 7% gjatë 5-mujorit të parë vitit 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Kjo rritje erdhi për shkak të kërkesës që pati tregu ndërkombëtar për produktet organike, e cila ndikoi tek eksportuesit që të grumbullonin më shumë nga këto bimë.
Vend kryesor në këto eksporte zunë bimët aromatike dhe mjekësore, teksa u pa një rënie e prodhimit të gështenjës dhe frutave të pyllit. Sipas INSTAT, prodhimi i bimëve aromatike dhe mjekësore në gjendje të egër arriti ne 7608 tonë vitin e kaluar me një rritje 65 %.
Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike është një burim i rëndësishëm të ardhurash për një numër të madh familjesh në zonat rurale, veçanërisht në zonat malore të Shqipërisë.
Sipas MBZHR, 100,000 persona përfitojnë nga rreth 20 000 familje që janë angazhuar në mbledhjen e tyre. Qarku i Shkodrës radhitet i pari për pjesën kryesore në të ardhurat e fermave familjare, i ndjekur nga Elbasani dhe Kukësi.
Rreth 90% e fermerëve që kultivojnë bimë mjekësor, kryesisht sherbele ndodhen në qarkun e Shkodrës (kryesisht Malësi e Madhe).