Viti 2025 ka nisur me një rritje të vizitorëve për turizëm në vendin tonë, reflektuar kjo edhe sa i përket netqëndrimeve.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instat, në muajin Janar 2025, strukturat akomoduese shënuan një rritje të ndjeshme të vizitorëve dhe netqëndrimeve, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Vizitorët gjithsej u rritën me 26,9 %, ku ata jorezidentë shënuan një rritje prej 41,0 % dhe rezidentë 12,1 %.
Po kështu, edhe netqëndrimet gjithsej u rritën me 35,8 %, ku ato jorezidentë u rritën me 49,1 %, ndërsa ato nga rezidentët me 19,0 %. Rritja më e madhe e vizitorëve jorezidentë u shënua në zonat jobregdetare (+46,5 %) dhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme (+38,4 %).

Sipas të dhënave, në Janar 2025, shumica e vizitorëve jo-rezidentë të cilët u akomoduan në strukturat pritëse në Shqipëri vijnë nga Italia (21%), Kosova (18%), dhe Gjermania (6%). Mbretëria e bashkuar dhe Franca kontribuuan përkatësisht me 6% dhe 5% të vizitorëve, ndërsa 44% e tyre ishin nga vende të tjera. Këto të dhëna reflektojnë prirjen e rritjes së turizmit hyrës nga tregjet kryesore të rajonit dhe Evropës. Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 14,5 %, krahasuar me 14,2 % në Janar 2024. /ekofin.al

