Banka e Shqipërisë bën të ditur se, në fund të korrikut të këtij viti, stoku i kursimeve në euro në bankat tregtare arriti në 6.8 miliardë euro.
Sipas BSH-së, krahasuar me një muaj më parë (qershor 2023), kursimet në euro u rritën me 1.9%, ose 130 milionë euro më shumë.
Me bazë vjetore, depozitat në euro janë rritur me 16.6%, ose 976 milionë euro më shumë.
“Në korrik dhe në gusht depozitat në valutë njohin gjithmonë rritje të fortë të ndikuara nga prurjet e emigrantëve”, bën të ditur BSH-ja.
Ekspertët e bankave vlerësojnë se, vitet e fundit ndikim të konsiderueshëm në rritjen e depozitave në monedhë të huaj, ka dhënë edhe ecuria e mirë e turizmit, që sjell më shumë valutë në vend si përmes konsumit, hotelerisë, ashtu dhe individëve që japin shtëpitë me qira ditore.
Banka Qendrore thekson se, kjo është një tendencë që po vjen e po bëhet gjithnjë e më e fortë, sidomos në muajt e verës, teksa zhvillimi i turizmit ka hyrë në rrugën e konsolidimit të qendrueshëm.
