Veprat penale të kryera në shoqëritë tregtare mbeten një pjesë e vogël e kriminalitetit në vend, por me rritje të fortë gjatë vitit 2025. Sipas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, këto vepra përbëjnë 0.20% të totalit të procedimeve penale në shkallë vendi, nga 0.11% një vit më parë, ndërsa koeficienti i kriminalitetit është rritur në 2.33 për 100 mijë banorë, nga 1.12 në 2024.
Rritja më e dukshme shihet te numri i çështjeve të regjistruara, i cili është dyfishuar, duke kaluar nga 27 procedime në vitin 2024 në 55 në vitin 2025. Po në rritje janë edhe të pandehurit e regjistruar, që kanë arritur në 9 nga 4 një vit më parë. Ndërkohë, numri i çështjeve të dërguara në gjykatë dhe i të pandehurve të dërguar për gjykim ka mbetur i pandryshuar, me 7 procedime dhe 8 të pandehur, ndërsa numri i të dënuarve ka rënë nga 4 në 3.
Nga ana sociale, profili i të pandehurve është i njëjtë: të gjithë janë meshkuj në moshë madhore. Rreth 91.67% e tyre kanë arsim të mesëm, ndërsa pjesa më e madhe, 83.33%, jetojnë në qytet dhe vetëm 16.67% në zonat rurale. Sa i përket historikut penal, 83.33% janë të padënuar më parë, ndërsa 16.67% janë përsëritës.
Shpërndarja gjeografike tregon se këto vepra janë të përqendruara kryesisht në Tiranë, ku regjistrohet 35% e rasteve, e ndjekur nga Korça me 16% dhe Fieri me 11%. Në disa zona, si Gjirokastra, nuk është regjistruar asnjë rast gjatë vitit 2025.
Një tregues i qartë i problematikës në këtë fushë është pesha e punësimit të paligjshëm. Kjo vepër përbën 60% të rasteve brenda këtij grupi në vitin 2025, nga 66.67% një vit më parë. Edhe pse pesha ka rënë lehtë, numri i rasteve është rritur ndjeshëm: janë regjistruar 33 procedime për punësim të paligjshëm në 2025, nga 18 në vitin 2024.
Të dhënat tregojnë se krimet në biznes po shtohen, veçanërisht ato që lidhen me marrëdhëniet e punës dhe informalitetin, duke reflektuar problematika të vazhdueshme në tregun e punës dhe në zbatimin e ligjit në aktivitetin tregtar. /ekofin.al
