Kërkesat për kredi për blerjen e pronave te paluajtshme dhe për biznes kanë regjistruar një rritje gjatë 3 muajve të verës. Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, kjo ka ardhur për shkak të krijimit të kushteve të favorshme nga bankat.
Vera rriti numrin e kredive për blerjen e pasurive te paluajtshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, situata favorizohet nga lehtësirat bankare për kredi konsumatore.
Ato kanë ofruar interesa më të ulëta, shuma më të larta, zgjatje të maturimit dhe kanë qenë më fleksibël me kolateralin që duhet lënë peng për të marrë një hua.
Duke iu referuar raportit tremujor, standardet e kreditimit për individët u lehtësuan edhe si pasojë e shtimit të konkurrencës në sistemin bankar.
Më tej në raport thuhet se bankat kanë refuzuar një numër më të vogël kredish, kryesisht për shkak të përmirësimit të aftësisë paguese të kredimarrësit.
Sa i përket bizneseve, kërkesa për kredi ka qenë e lartë, kryesisht nga biznesi i madh.
Edhe në këtë rast ndikuan politikat në financimin me kredi.
Gjithashtu thuhet se bankat kanë aprovuar një numër më të madh aplikimesh në raport me totalin e aplikimeve.
Ndërkohë, kërkesa e bizneseve për financim ka qenë kryesisht në formën e kredisë për likuiditete, ndërsa rënie ka shënuar kredia për investime.
Kjo ecuri sipas Bankës së Shqipërisë ka reflektuar përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve dhe statusin e kredive aktuale.
Paralelisht me me rritjen e kredive, janë shtuar dhe depozitat në banka me 10.3%.
Kjo si pasojë e hyrjeve të larta valutore për shkak të turizmit, remitancave dhe aktivitetit të bizneseve.