Mbitërheqjet bankare (overdraft) të qytetarëve e bizneseve në Kosovë gjatë vitit 2024 kanë arritur nivelin më të lartë të këtij lloj borxhi që nga pas lufta. Ne vitin 2020 mbitërheqjet kanë qenë 143.2 milionë euro ndërsa vetëm janar-tetor 2024 janë 527.3 milionë euro. Mbitërheqjet bankare po vlerësohen po ashtu të jenë të rrezikshme edhe për të ardhmen e qytetarit nga aspekti ekonomik.
Vetëm në vitin që lamë pas, mbitërheqjet kanë arritur vlerën mbi gjysmë miliardi euro. Rritja e kësaj kategorie të borxhit është më e theksuar pas vitit 2022.
Gjatë vitit që lamë pas, në kuadër të kësaj forme të kredisë (overdraft), qytetarët tërhoqën mbi 67 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.
Pagat e pamjaftueshme (të ulëta), e rritja e inflacionit po konsiderohen ndër arsyet që po i shtyjnë qytetarët të futen në këtë lloj të borxhit, raporton KosovaPress.
BQK bën të ditur se nga janari deri në muajin tetor të vitit 2024, vlera e overdrafteve në Kosovë arrin shumën mbi 527 milionë euro. Derisa në periudhën e njëjtë të vitit 2023 ishte afro 460 milionë euro.
“Overdraftet janë të prezantuara si gjendje në fund të periudhës (outstanding) vlera e të cilave deri në tetor 2024 ka arritur në 527.3 milionë euro, ndërsa deri në tetor 2023 kjo vlerë ishte 459.7 milionë euro. Norma e interesit është në nivele të ngjashme, rreth 6.7% mesatare”, thuhet në një përgjigje me shkrim të BQK-së.
Mbitërheqjet bankare po vlerësohen po ashtu të jetë të rrezikshme edhe për të ardhmen e qytetarit të Kosovës nga aspekti ekonomik. /kosovapress
