Korniza e politikave të kreditimit të sektorit bankar për bizneset mbeti thuajse e pandryshuar në tremujorin e parë të vitit 2025. Por u vu re një rritje e refuzimeve nga bankat sa i përket kërkesave për kredi.
Standardet, kushtet dhe termat e kreditimit në tërësi u cilësuan të ngjashme me një tremujor më parë në kreditë akorduar biznesit të madh për financimin e investimeve dhe për mbulimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kostot dhe kufizimet më të ulëta nga bilanci u cilësuan si faktorë që mbështetën vendimet e bankave për të reduktuar marzhet mbi kreditë e lëvruara në çdo segment madhësie të biznesit. Ndërkohë, në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm, bankat përcaktuan standarde më të lehtësuara kreditimi, nxitur, ndër të tjera dhe nga shtimi i konkurrencës në sistemin bankar.
Në tremujorin e dytë të vitit 2025, bankat presin të ndjekin politika më të lehtësuara kreditimi në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm, në kreditë lëvruar me qëllim financimin e investimeve dhe ato për mbulimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet.
Në kahun lehtësues të standardeve të kreditimit u raportuan kostot dhe kufizimet më të ulëta nga bilanci. Në kahun shtrëngues ndikuan perceptimi i bankave mbi rrezikun për aftësinë paguese të kredimarrësit dhe mbi kolateralin e kërkuar, si edhe toleranca më e ulët e bankave kundrejt rrezikut. Faktorët e tjerë patën ndikim neutral.
Në kahun lehtësues të kushteve e termave të kreditimit, në gjykimin e bankave, ndikuan kostot dhe kufizimet më të ulëta nga bilanci dhe trysnia nga konkurrenca në sistemin bankar. Në kahun shtrëngues ndikoi perceptimi mbi rrezikun.
Sa i përket shkallës së miratimit të kredive për bizneset u raportua më e ulët në tremujorin e parë. Faktorët që ndikuan në rritjen e shkallës së refuzimeve për kredi të bizneseve ishin historiku nga regjistri i kredisë, të ardhurat e disponueshme dhe pasqyrat financiare të bizneseve.
Kërkesa për kredi e bizneseve rezultoi në rritje edhe në tremujorin e parë të vitit 2025. Kërkesë e lartë për kredi u raportua si në terma të madhësisë së biznesit, ashtu edhe në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë.
Rritja e kërkesës për kredi u mbështet nga nevojat më të larta për financimin e investimeve dhe inventarëve të kapitalit qarkullues. Po ashtu, në gjykimin e bankave, niveli i përgjithshëm i normave të interesit dhe treguesi i besimit të biznesit mbështetën zgjerimin e kërkesës për kredi. Nga ana tjetër, përdorimi i burimeve të brendshme të financimit ndikoi në kahun rënës të kërkesës për kredi të bizneseve në tremujorin e parë të vitit./ekofin.al
