Fluturimet charter zunë një përqindje të konsiderueshme të tregut përgjatë muajit shtator.
Të dhënat zyrtare të ardhura nga Autoriteti i Aviacionit Civil tregojnë se ka pasur një numër prej 390,491 pasagjerë të cilët kanë udhëtuar gjatë muajit shtator për/ nga TIA, nga të cilët 64,483 janë pasagjerë të fluturimeve charter. Kjo shifër përbën edhe 17 % të totalit të pasagjerëve.
Referuar të dhënave të publikuara nga AAC numri i pasagjerëve që udhëtuan me charter shënoi rritje me 33 % edhe krahasuar me shtatorin e 2019-ës.
“Rritja e numrit të pasagjerëve charter me 33% krahasimisht me 2019 është tregues edhe për mirëmenaxhimin e grupeve turistike të cilët kanë qenë të shumta edhe përgjatë shtatorit”, bën të ditur AAC.
Sipas AAC-së, numri i pasagjerëve që udhëtuan përmes Rinasit këtë shtator shënoi rritje me 15 % edhe krahasimisht me shtatorin e 2019 që përkon me periudhën para kufizimeve të lëvizjeve për shkak të pandemisë së COVID-19.
Sipas AAC-së, kompanitë me fluksin më të lartë të pasagjerëve që kanë udhëtuar përgjatë shtator janë “Air Albania” dhe “Wizz Air”.