Inflacioni qëndroi 1.9% edhe në muajin shkurt, po aq sa janari, por vërehet se ka një rritje të çmimit të ushqimeve dhe më së shumti të mishit, perimeve, si edhe bulmeteve (djathë, qumësht e vezë). Referuar shifrave të publikuara nga INSTAT, inflacioni për muajin shkurt ishte 1.9%, ndërkohë që një vit më parë, ky tregues ishte 2.6%.
Rritja vjetore e çmimeve në shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,97 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,27 pikë përqindje. Gjithashtu, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” ndikuan me +0,22 pikë përqindje, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,14 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,10 pikë përqindje secili, çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,09 pikë përqindje, çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,08 pikë përqindje, çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,04 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,03 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,02 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Transporti” me -0,14 pikë përqindje.
Krahasuar me muajin Shkurt 2024, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 6,5 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,5 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3,6 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Veshje dhe këpucë” me 2,8 % secili, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,8 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,4 %, “Komunikimi” me 1,2 %, “Shërbimi arsimor” me 0,9 %, “Shëndeti” me 0,6 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,4 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 2,2 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “mish” patën një rritje me 4,0 %, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 3,2 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 2,8 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 1,7 %, “peshk” me 1,1 %, etj. /ekofin.al
