Nga Mirilda Tili
Rregullorja e re për administrimin dhe shfrytëzimin e hapësirave publike, e miratuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, ka hapur një debat të ri mbi mënyrën sesi po menaxhohen trotuaret, sheshet dhe hapësirat e përbashkëta në kryeqytet. Ndërsa bashkia synon vendosjen e standardeve më të forta për përdorimin e tyre, ekofin.al pasqyron këtë herë opinione të ekspertëve të urbanistikës dhe përfaqësuesve të biznesit, të cilët argumentojnë se dokumenti ngre pikëpyetje si në aspektin juridik, ashtu edhe në mënyrën sesi trajton jetën urbane të qytetit.
Urbanisti dhe pedagogu në Universiteti Europian i Tiranës, Gent Kaprata, e konsideron vendimin problematik në disa nivele, duke nisur nga fakti se Bashkia e Tiranës ka pasur prej vitesh një rregullore për hapësirat publike.
Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një instrument të ri, por për një përsëritje të akteve ekzistuese. “Problemi nuk ishte mungesa e një akti vendor, por nevoja për rishikim cilësor të instrumentit ekzistues”, argumenton Kaprata, duke kujtuar se rregullorja e parë është miratuar që në vitin 2018 dhe është ndryshuar disa herë ndër vite.
Ai shkon më tej, duke ngritur dyshime mbi autonominë reale të vendimmarrjes vendore. Sipas analizës së tij, rregullorja e re ka ngjashmëri të lartë me VKM-në nr. 224/2026, deri në nivel pothuajse identik të strukturës dhe përmbajtjes. “Një vendim i Këshillit Bashkiak ka vlerë vetëm nëse prodhon rregullim vendor, jo nëse përsërit rregullimin kombëtar”, shprehet urbanisti.
Kaprata argumenton se qeveria qendrore nuk duhet të hyjë në detaje të administrimit të hapësirës publike, pasi kjo është një kompetencë tipike e pushtetit vendor. Sipas tij, hapësira publike nuk mund të trajtohet vetëm si çështje tarifash, lejesh apo gjobash, por si një element i ndërlidhur me funksionin social, ekonomik dhe estetik të qytetit.
“Hapësira publike nuk është thjesht sipërfaqe që jepet me leje. Një tavolinë, tendë apo strukturë e përkohshme mund të jetë e pranueshme në një zonë dhe problematike në një tjetër”, thekson ai.
Në vend të rregulloreve uniforme, Kaprata propozon që Bashkia e Tiranës të mbështetet më shumë në plane të detajuara urbanistike dhe projekte konkrete për blloqe, rrugë apo lagje të caktuara, duke analizuar lëvizjen këmbësore, gjelbërimin dhe funksionet e zonave urbane.
Kritika ndaj mënyrës së hartimit dhe zbatimit të rregullores vijnë edhe nga biznesi. Enri Jahaj, përfaqësues i Shoqata “Bar Restorant & Clubs”, thotë se sipërmarrësit nuk janë përfshirë realisht në konsultime, ndërsa vendimet janë marrë pa konsideruar investimet e bëra nga bizneset.
“Si gjithmonë vazhdon e njëjta frymë me udhëzime që edhe ata që do t’i zbatojnë do t’i zbatojnë si mendojnë, por jo si duhet”, shprehet Jahaj.
Jahaj ndalet veçanërisht te heqja e tendave, duke argumentuar se ndërhyrja u bë në një moment të papërshtatshëm për bizneset. “Tendat u hoqën pa u menduar që ishin bërë investime të konsiderueshme nga biznesi dhe në mes të sezonit”, deklaron ai.

Sipas përfaqësuesit të sipërmarrësve, modeli që po ndiqet nuk reflekton praktikat europiane, ku bashkëjetesa mes hapësirës publike dhe aktivitetit privat është më fleksibël. “Në eksperiencat europiane ka edhe tenda, edhe mure ndarëse, por gjithçka bëhet me standarde”, thotë Jahaj, duke shtuar se problem mbetet mungesa e trotuareve dhe hapësirave publike sipas standardeve bazë.
Debati mbi rregulloren e re pritet të vijojë edhe në javët në vazhdim, pasi dokumenti prek drejtpërdrejt mënyrën sesi do të përdoren hapësirat publike në një qytet që prej vitesh përballet me tensionin mes zhvillimit urban, interesit ekonomik dhe nevojës për më shumë hapësira për qytetarët. /ekofin.al

