Nga Mirilda Tili
“Në thelb, nuk ka rritje tarifash dhe kjo të paktën është pozitive. Filozofia e ndryshimeve lidhet me kalimin nga përdorimi spontan dhe shpesh informal i hapësirave publike, drejt një modeli më të organizuar dhe funksional të menaxhimit urban.”
Kështu u shpreh për ekofin.al, kreu i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA-HORECA), Zak Topuzi, duke komentuar rregulloren e re të miratuar nga Bashkia Tiranë për menaxhimin e hapësirave publike.
Sipas Topuzit, ndryshimet nuk fokusohen tek rritja e kostove për bizneset, por tek krijimi i një modeli më të strukturuar për administrimin e hapësirave publike në kryeqytet, në një kohë kur Tirana po përballet me rritje të fortë të aktivitetit ekonomik dhe fluksit turistik.
Në kuadër të konsultimeve për dokumentin, Shoqata Shqiptare e Turizmit paraqiti edhe dy propozime konkrete që lidhen me standardet e shërbimit, sigurinë rrugore dhe zhvillimin e turizmit urban.
Një nga kërkesat kryesore lidhet me krijimin e zonave të posaçme “Hotel Drop-off Zone” pranë hoteleve me 4 dhe 5 yje. Sipas ATA-HORECA, standardet europiane të klasifikimit hotelier, të njohura si Hotelstars, parashikojnë që këto struktura të kenë hapësira funksionale për ndalimin e përkohshëm të autobusëve turistikë, taksive apo automjeteve që përdoren gjatë proceseve të check-in dhe check-out. Për hotelet 2-3 yje kjo konsiderohet pikë opsionale, por gjithsesi e rëndësishme për cilësinë e shërbimit, por dhe sigurine rrugore.
Shoqata argumenton se mungesa e këtyre zonave po krijon problematika të vazhdueshme në menaxhimin e trafikut, sigurinë rrugore dhe cilësinë e shërbimit për turistët dhe vizitorët.
Për këtë arsye, ATA-HORECA propozon që “Hotel Drop-off Zone” të trajtohet si kategori funksionale urbane dhe jo si zënie tregtare e hapësirave publike.
Një tjetër propozim i sektorit të turizmit ka të bëjë me krijimin e hapësirave publike të dedikuara për parkimin e autobusëve turistikë në qendër të Tiranës.
Sipas shoqatës, kryeqyteti tashmë po përpunon rreth 5 milionë turistë në vit dhe rritja e numrit të autobusëve turistikë po krijon vështirësi reale në qarkullim dhe organizimin e tureve turistike.
Përfaqësuesit e industrisë kërkojnë që Bashkia Tiranë të parashikojë hapësira të dedikuara parkimi për autobusët turistikë, pika ndalimi afatshkurtra pranë zonave kryesore turistike dhe hotelerisë, si dhe një plan funksional për menaxhimin e transportit turistik urban.
Sipas operatorëve të turizmit, këto masa do të ndihmonin në përmirësimin e organizimit urban të qytetit, rritjen e standardeve të shërbimit dhe lehtësimin e trafikut në një Tiranë që po konsolidohet gjithnjë e më shumë si destinacion turistik rajonal. /ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

