Nga 1 gusht 2025, kanë hyrë në fuqi rregullat për mënyrën e lëshimit të recetës mjekësore dhe ekzekutimit të saj në farmaci.
Të gjithë profesionistët e shëndetit që kanë të drejtën e lëshimit të recetës mjekësore pajisen me recetën sipas një formati tip dhe nuk lejohet përdorimi jashtë këtij formati.
Receta mjekësore është formati i miratuar për përshkrimin e barit, i printuar ose elektronik, i lëshuar nga profesionisti i shëndetit, i cili është i kualifikuar për kryerjen e këtij veprimi. Farmacitë e rrjetit të hapur dhe agjencitë farmaceutike lejohen të tregtojnë pa recetë vetëm barnat që nuk i nënshtrohen recetës mjekësore, si barnat OTC, sipas listës së miratuar nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë.
Barnat në recetë përshkruhen detyrimisht sipas emërtimit gjenerik. Përshkrimi me emër tregtar shoqërohet detyrimisht me emërtim gjenerik.
Në rastet kur një bar përshkruhet për diagnoza kronike, mjeku ka të drejtë të lëshojë recetë mjekësore deri në 6 muaj. Në rast të ekzekutimit të pjesshëm të recetës mjekësore, farmacisti shënon në recetë sasinë e barnave të marra nga pacienti, datën e ekzekutimit si dhe firmos dhe vendos vulën e farmacisë dhe ia kthen atë pacientit. Farmacia mban një kopje fizike të recetës ose e ruan në mënyrë elektronike në një file të veçantë në kompjuter.
Farmacisti ka të drejtën e kopjes së recetës,bazuar në recetën e mjekut duke plotësuar të dhënat e pacientit, diagnozën, përshkrimin e barnave, të dhënat e mjekut, datën e lëshimit të recetës nga mjeku si dhe datën e lëshimit të kopjes së recetës, emrin dhe mbiemrin e farmacistit si dhe vulën e farmacisë.
Udhëzimi parashikon se profesionistët e shëndetit që nuk i përshkruajnë barnat sipas këtij udhëzimi, dhe kryejnë ekzekutimin në farmaci në kundërshtim me përcaktimet e këtij udhëzimi, penalizohet sipas legjislacionit në fuqi për barnat dhe shërbimin farmaceutik.
Udhëzimi është tashmë në fuqi dhe efektet e tij fillojnë nga 1.8.2025. Për zbatimin e tij ngarkohen Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Urdhri i Mjekut, Urdhri i Farmacistit, Urdhri i Stomatologut, si dhe të gjitha institucionet shëndetësore publike apo private në Republikën e Shqipërisë./ekofin.al

