Banka e Shqipërisë po ndërmerr një valë ndryshimesh në aktet ligjore, të cilat do të përfshijnë të detajuar edhe mënyrën e rregullimit të pagesave me para elektronike.
Sipas ndryshimeve të programuara në ligjin “Për shërbimet e pagesave”, të konsultuara nga ekofin.al, synohet të rritet siguria, efikasiteti dhe transparenca e tregut të pagesave, si dhe të forcohet mbrojtja e përdoruesve dhe stabilitetit financiar.
Qëllimi i këtij ligji është krijimi i kuadrit ligjor për shërbimet e pagesave dhe emetimin e parasë elektronike në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe, kur Shqipëria të jetë shtet anëtar, në Bashkimin Evropian.
Neni 3 përcakton fushën e zbatimit të ligjit për shërbimet e pagesave dhe emetimin e parasë elektronike në Shqipëri, i cili zbatohet për këto kategori subjektesh: institucionet e kreditit (bankat), degët e bankave të huaja, bankat e vendeve të BE-së (kur Shqipëria është shtet anëtar), institucionet e parasë elektronike dhe degët e tyre, institucionet e pagesave dhe degët e tyre, institucionet e shërbimeve postare, si dhe Banka e Shqipërisë, Banka Qendrore Evropiane dhe autoritetet publike kur nuk veprojnë në cilësinë e tyre zyrtare.
Ligji rregullon gjithashtu emetimin e parasë elektronike, duke përcaktuar subjektet që mund ta ushtrojnë këtë veprimtari dhe kërkesat për licencim, funksionim dhe mbikëqyrje prudenciale. Disa institucione përjashtohen nga disa dispozita në raste të caktuara, ndërsa Banka e Shqipërisë mund të japë përjashtime për subjekte të rregulluara me ligj të posaçëm. Në çdo rast, ndalohet shmangia nga dispozitat në dëm të përdoruesve, duke lejuar vetëm kushte më të favorshme për ta.
Dispozita ligjore e shtuar e përkufizon për herë të parë paranë elektronike si vlerë monetare të ruajtur në mënyrë elektronike, përfshirë edhe në mënyrë magnetike, e cila përfaqëson një pretendim ndaj emetuesit të parasë elektronike, që emetohet me pranimin e fondeve për qëllime të kryerjes së transaksioneve të pagesës dhe që pranohet nga persona fizikë apo juridikë, të ndryshëm nga emetuesi.
Nga zbatimi përjashtohen transaksionet e pagesave që bazohen në dokumente në formë letre, të tilla si çeqet (sipas Konventës së Gjenevës dhe variante të ngjashme), urdhrat e pagesës dhe kambialet, si dhe instrumente të tjera si kuponët, çeqet udhëtarësh dhe urdhrat postarë, të lëshuara për vendosjen e fondeve në dispozicion të përfituesit.
Po kështu, ndryshojnë pragjet e përjashtimit. Ndërsa më parë kufijtë për transaksione për shërbime digjitale, zanore, bamirësi ose bileta përmes operatorëve të komunikimeve elektronike përcaktoheshin në lekë (7 000 lekë për transaksion dhe 40 000 lekë në muaj), tani këto pragje përcaktohen drejtpërdrejt në ligj në ekuivalent euro (50 euro për transaksion dhe 300 euro në muaj).
Gjithashtu, shtohen përkufizime të reja në ligj, duke përfshirë “institucionin e parasë elektronike” si subjekt i licencuar për emetimin e saj dhe “institucionin e kreditit” si term që barazohet me bankën sipas legjislacionit të brendshëm dhe atij të BE-së. Njëherazi përcaktohet “interesi pjesëmarrës” si zotërim (direkt ose indirekt) prej të paktën 20% në kapital ose të drejta vote, që krijon lidhje të qëndrueshme me një shoqëri.
Në aspektin e licencimit, projektligji shton kërkesa më të detajuara për aplikuesit, duke kërkuar jo vetëm dokumentacionin bazë, por edhe një përshkrim të plotë të mekanizmave të kontrollit dhe strukturave organizative që garantojnë mbrojtjen e përdoruesve dhe vazhdimësinë e shërbimeve. Theksi vendoset veçanërisht te siguria dhe qëndrueshmëria operacionale digjitale, duke kërkuar që aplikuesi të provojë se ka masa efektive për mbrojtjen e të dhënave, sistemeve IT dhe operacioneve, në përputhje me standardet e BE-së (Rregullorja (BE) 2022/2554) dhe aktet nënligjore të Bankës së Shqipërisë. Pra, ndryshimi konsiston në rritjen e kërkesave për kontrollin e brendshëm, sigurinë teknologjike dhe menaxhimin e rrezikut.
Ligji forcon kërkesat për siguracionin profesional, duke kërkuar që ai të mbulojë shprehimisht territoret ku subjekti operon. Po kështu, forcohen ndjeshëm edhe kompetencat e Bankës së Shqipërisë dhe mekanizmat ndërhyrës mbi kontrollin e kuotave dhe të aksioneve.
Ndërsa më parë Banka vetëm mund të kundërshtonte brenda 3 muajve dhe çdo pjesëmarrje e realizuar në kundërshtim me ligjin shpallej absolutisht e pavlefshme, tani parashikohet një qasje më e gjerë dhe graduale: përveç kundërshtimit, Banka mund të marrë masa konkrete si urdhra ndalues, sanksione ndaj drejtuesve dhe pezullim të të drejtave të votës. Gjithashtu, parashikohen masa edhe për rastet kur nuk bëhet njoftimi paraprak. Në vend të pavlefshmërisë automatike, vendoset pezullimi ose anulimi i të drejtave të votës, duke e bërë ndërhyrjen më fleksibile dhe më operacionale.
Në rolin e Bankës së Shqipërisë në përcaktimin e kapitalit fillestar minimal me akt nënligjor, ligji shton një regjim të ri të detajuar në funksion të integrimit në BE. Konkretisht, për herë të parë përcaktohen në ligj nivele fikse minimale kapitali (20,000 euro, 50,000 euro dhe 125,000 euro) në varësi të llojit të shërbimit të pagesave që ofrohet, duke reflektuar standardet evropiane. Ndërkohë, deri në anëtarësimin në BE, vijon të zbatohet skema ekzistuese ku kapitali minimal përcaktohet nga Banka e Shqipërisë me akt nënligjor.
Më konkretisht, Banka e Shqipërisë përcakton me akt nënligjor shumën e kapitalit fillestar minimal të kërkuar për institucionin e pagesave dhe përcakton elementet përbërëse të tij.
Kur Shqipëria të jetë shtet anëtar, për t’u licencuar si institucion pagesash, subjekti duhet të plotësojë shumat e mëposhtme të kapitalit fillestar, në varësi të llojit të shërbimeve të pagesave që ofron:
a) jo më pak se vlera ekuivalente në lekë e shumës 20,000 euro, kur ofrohen vetëm shërbime të dërgesave të parave (remitanca), që konsistojnë në transferimin e fondeve pa hapur një llogari pagese;
b) jo më pak se vlera ekuivalente në lekë e shumës 50,000 euro, kur ofrohet vetëm shërbimi i inicimit të pagesës, që mundëson nisjen e një transaksioni pagese nga një llogari në një ofrues tjetër;
c) jo më pak se vlera ekuivalente në lekë e shumës 125,000 euro, kur ofrohen shërbime të lidhura me funksionimin e llogarive të pagesës dhe ekzekutimin e transaksioneve, përfshirë depozitimin dhe tërheqjen e fondeve, transfertat e kreditit, debitimet direkte, pagesat me kartë ose pajisje të ngjashme, si dhe emetimin e instrumenteve të pagesës dhe pranimin e pagesave.
Ndërkohë sa i përket mbrojtjes së fondeve, do të përfshihen edhe institucionet e parasë elektronike. Këto fonde duhet të mbahen të ndara nga fondet e institucionit dhe të depozitohen në një institucion krediti në Shqipëri ose në Banka e Shqipërisë, apo të investohen në aktive të sigurta dhe likuide me rrezik të ulët, duke garantuar që ato të jenë të mbrojtura nga kreditorët dhe të përjashtuara nga masa e falimentit.
Sipas dispozitës fondet mund të mbulohen me sigurim ose garanci të krahasueshme nga një subjekt i pavarur, e cila aktivizohet në rast pamundësie të institucionit për të përmbushur detyrimet ndaj përdoruesve. /ekofin.al
