Një projektligj i ri i hartuar dhe i hedhur për konsultim publik, u jep individëve dhe personave juridikë mundësinë që, gjatë periudhës 1 janar – 30 shtator 2026, të kryejnë rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me vlerën aktuale të tregut.
Sipas projektligjit, rivlerësimi mund të realizohet nga ekspertë të licencuar ose nga vetë Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ndërsa tatimi për këtë proces është i reduktuar në masën 5% të diferencës mes vlerës së re dhe asaj të mëparshme të regjistruar.
Projektligji i plotë:
P R O J E K T L I GJ
Nr._____/2025
“PËR RIVLERËSIMIN E PASURISË SË PALUAJTSHME”
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83 dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme për individët
1. Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme kanë të drejtë që, nga data 1 Janar 2026 deri në datën 30 shtator 2026, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Kërkesat për rivlerësim të dorëzuara pranë Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, të cilat nuk janë procesuar brenda datës 30 shtator 2026, konsiderohen si objekt rivlerësimi sipas këtij ligji, në rast se pagesa e tatimit për to bëhet deri në datë 31 dhjetor 2026.
2. Ky rivlerësim mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme nga institucionet përkatëse ose nga zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
3. Në rast se individi zgjedh që të bëjë rivlerësimin me një ekspert të licencuar, atëherë aplikimit të tij për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme i bashkëlidh edhe aktin e vlerësimit të ekspertit.
4. Zyrat vendore të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës përllogarisin:
a) bazën e tatueshme, e cila llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në akt ekspertimi, e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimet minimale fiskale në fuqi në momentin e vlerësimit, dhe vlerës së regjistruar të pasurisë ose vlerës së rivlerësuar sipas ligjeve të mëparshme të rivlerësimit dhe për të cilin është paguar tatimi. Çmimi minimal fiskal llogaritet sipas dispozitave të Udhëzimit të Përbashkët mes ministrisë përgjegjëse për financat dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, nr. 34, datë 29.12.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat nga tjetërsimi i pasurive të paluajtshme”;
b) tatimin që duhet të paguajë individi për ta regjistruar këtë rivlerësim.
5. Në rast se individi zgjedh që rivlerësimi të kryhet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me çmimet minimale fiskale në fuqi, atëherë ky fakt shprehet në formularin që i bashkëlidhet aplikimit të tij për rivlerësim.
6. Në rastin e parashikuar në pikën 5, të këtij neni, zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përllogarisin:
a) bazën e tatueshme, e cila llogaritet si diferenca ndërmjet vlerës së pasqyruar në akt ekspertimi, e cila nuk mund të jetë më vogël se çmimi minimal fiskal, dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi. Çmimi minimal fiskal llogaritet sipas dispozitave të Udhëzimit të Përbashkët mes ministrisë përgjegjëse për financat dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, nr. 34, datë 29.12.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat nga tjetërsimi i pasurive të paluajtshme”;
b) tatimin që duhet të paguajë individi për ta regjistruar këtë rivlerësim.
7. Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitjeje, atëherë, si vlerë regjistrimi, në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, konsiderohet vlera e çmimeve minimale fiskale në çastin e regjistrimit të aktit të fitimit të pronësisë.
8. Tatimi që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi është 5 për qind e bazës së tatueshme, që përcaktohet sipas pikave 4 dhe 6 të këtij neni.
9. Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, në zbatim të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, të bërë pas rivlerësimit, tatimi llogaritet sipas normave në fuqi mbi fitimin e realizuar, si diferencë e vlerës, në momentin e kalimit të së drejtës së pronësisë, me vlerën e rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi.
Neni 2
Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme për personat juridikë
1. Personat juridikë, të cilët kanë të regjistruar në pasqyrat e tyre financiare pasuri të paluajtshme me vlerë më të vogël se ajo e tregut, kanë të drejtë të bëjnë, brenda datës 30 shtator 2026, rivlerësimin me vlerën e tregut të këtyre pasurive.
2. Rivlerësimi me vlerën e tregut bëhet sipas përcaktimeve të nenit 1 të këtij ligji.
3. Diferenca ndërmjet vlerës që rezulton nga rivlerësimi, me vlerën kontabël të pasurisë, reflektohet në pasqyrat financiare të vitit 2026.
4. Personat juridikë, për këtë rivlerësim, paguajnë 5 për qind të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar, për pasuritë e paluajtshme.
5. Për qëllime të zbatimit të këtij neni, personi juridik mban një kartelë të pasurisë së paluajtshme, ku evidenton vlerën përkatëse të pasurisë së paluajtshme që nga momenti i njohjes fillestare të aktivit dhe tatimin përkatës, të paguar sipas legjislacionit në fuqi. Diferenca ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar, nuk është objekt amortizimi për qëllime tatimore. Në rastet kur personi juridik transferon të drejtën mbi pasuritë e paluajtshme të rivlerësuara, për efekt të llogaritjes së fitimit kapital dhe detyrimit tatimor, nga çmimi i shitjes zbritet vlera e rivlerësuar e pasurisë.
Neni 3
Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme në proces regjistrimi
1. Objekt i këtij ligji është edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme që janë në proces regjistrimi, duke përfshirë edhe pasuritë e legalizuara në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Procedurat e rivlerësimit dhe pagesës për rastet e parashikuara në këtë nen, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 4
Aktet nënligjore
Ngarkohet ministri përgjegjës për financat dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për nxjerrjen e udhëzimit të përbashkët për procedurat e zbatimit të këtij ligji, si dhe për përcaktimin e tarifës së kryerjes së shërbimeve të parashikuara nga ky ligj nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 5
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026 deri në datën 30 shtator 2026.
