Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) po përjeton një tjetër vit të suksesshëm, duke shënuar një rritje të fortë të trafikut ajror dhe duke u konsoliduar si një nga pikat më të rëndësishme të transportit ajror në rajonin e Ballkanit. Sipas të dhënave zyrtare, nga janari deri në fund të majit 2025, kanë udhëtuar përmes aeroportit afro 4 milionë pasagjerë, një rritje që pason trendin pozitiv të viteve të fundit.
Maj 2025 shënoi një tjetër rekord, me 999,688 pasagjerë dhe 6,170 fluturime drejt 84 destinacioneve në 24 shtete. Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024, janë regjistruar 50,087 pasagjerë më shumë, një rritje që lidhet si me sezonin turistik, ashtu edhe me zgjerimin e linjave ajrore që operojnë në TIA.
Rikthimi i disa destinacioneve të preferuara dhe shtimi i frekuencave drejt qyteteve kryesore evropiane ka sjellë më shumë mundësi udhëtimi për qytetarët shqiptarë dhe vizitorët e huaj. Italia vijon të jetë destinacioni kryesor, me qytete si Milano, Roma, Bolonja dhe Venecia që kryesojnë listën e më të preferuarave, së bashku me Londrën, si një nga destinacionet më të rëndësishme për diasporën dhe biznesin.
TIA ka përfituar nga zhvillimet pozitive të tregut turistik në Shqipëri, si dhe nga zgjerimi i linjave low-cost që kanë shtuar rrugët direkte nga Tirana drejt qyteteve të reja në Evropë. Përveç kësaj, rikonstruksioni dhe zgjerimi i terminalit të pasagjerëve, si dhe përmirësimi i shërbimeve të aeroportit, kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e kapaciteteve dhe përvojës së udhëtarëve./ekofin.al


