Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka arritur të tejkalojë që pa u mbyllur ende muaji shtator numrin e përgjithshëm të pasagjerëve që u regjistruan për gjithë vitin e kaluar.
“TIA ka vendosur një rekord të ri, duke tejkaluar 8 milionë pasagjerë nga 1 janari deri më 19 shtator 2024. Kjo arritje vjen ndërsa TIA vazhdon të shohë zgjerim të konsiderueshme në trafikun e pasagjerëve. Krahasimisht, TIA e mbylli vitin 2023 me 7.25 milionë pasagjerë, duke shënuar një rritje të konsiderueshme nga viti në vit,” njoftoi aeroporti.
Kompania koncesionare menaxhuese e aeroportit ka falënderuar pasagjerët për durimin dhe mirëkuptimin e treguar për çdo vonesë që mund të ketë ndodhur gjatë udhëtimeve të tyre. Në njoftim thuhet se trafiku ajror ka qenë i ngarkuar globalisht në mbarë botën, por megjithëse kjo është jashtë kontrollit të kompanisë, stafi i TIA-s ka punuar me përkushtim për të siguruar që të gjitha proceset e shërbimit në tokë të përfundonin në kohë.
Bazuar në fluksin e regjistruar deri në 19 shtator dhe duke marrë në konsideratë se edhe periudha e festave të nëntorit dhe ajo e Krishtlindjeve shoqërohen me rritje të trafikut ajror, Aeroporti i Rinasit pritet që këtë vit të thyejë shifrën e 10 milionë pasagjerëve. Kjo do ta ngjiste atë në majën e aeroporteve të Ballkanit Perendimor, me trafikun më të lartë, duke lënë aeroportin e Beogradit.
Shqipëria deri në gusht të këtij viti është vizituar nga 8.5 milionë të huaj, shumë prej të cilëve, krahas turizmit, kanë parë edhe mundësinë e biznesit, por edhe e kanë përdorur aeroportin për të fluturuar në drejtim të destinacioneve evropiane.
