Tatimpaguesit e profesioneve të lira që nuk kanë deklaruar ende llogaritë bankare kanë afat deri në 27 Dhjetor për deklarimin e tyre. Administrata Tatimore njofton të gjithë tatimpaguesit si rimbursimi nuk do të kryhet brenda datës 30 Dhjetor 2024, nëse nuk deklarohen të dhënat për llogarinë bankare në sistemin e-Filing.
“Si ofrues i shërbimeve profesionale, brenda datës 30.12.2024, ju do të rimbursoheni në llogaritë tuaja bankare për shumat e paguara për këstet paraprake të Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin apo Tatimit mbi Fitimin!
Nga verifikimet e Administratës Tatimore, rezulton se ju nuk i keni deklaruar ende të dhënat e llogarisë tuaj bankare, ne sistemin e-Filing.
Kujdes!
Rimbursimi i menjëhershëm i shumave të parapaguara nuk do të mund të kryhet brenda datës 30.12.2024, nëse informacionin mbi të dhënat e llogarisë bankare nuk do e deklaroni brenda datës 27.12.2024”, thuhet në njoftim.
Administrata tatimore sqaron se në të kundërt, tatimpaguesit, që do të deklarojnë të dhënat e llogarive bankare pas 27 dhjetorit 2024 duhet të bëjnë kërkesë me shkrim pranë Drejtorive Tatimore përkatëse për kthimin e pagesave të kryera, procedurë që kërkon më shumë kohë.
Njoftimi për afatin e deklarimit të llogarive brenda datës 27 Dhjetor me qëllimin përfitimin e rimbursimit brenda vitit apo procedurat që do të ndjekin subjektet nëse i deklarojnë të dhënat pas këtij afati, i është dërguar bizneseve në e-Filing nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.