Profesionistët e lirë kanë derdhur në buxhetin e shtetit 500 milionë lekë tatime për periudhën janar – qershor 2024, si parapagim nga detyrimi që buronte nga neni i ligjit të ri për tatimin me të ardhurat, i cili u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuse. Aktualisht janë 6541 tatimpagues profesionistë që e kanë paguar, ndërsa të tjerët rezultojnë të kenë detyrime tatimore për shkak të mospagesës si dhe kamatvonesave.
Me shfuqizimin e nenit antikushtetues, mbetet ende për t’u vendosur se cila do të jetë skema e rimbursimit të arkëtimeve të padrejtave.
Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar nisma e Partisë Demokratike, e cila propozon që në nenin 69 të ligjit për “Tatimin mbi të ardhurat”, pas pikës 3, të shtohen pikat 4 dhe 5, të cilat kanë si qëllim rimbursimin e tatimit të paguar.
Konkretisht kërkohet që “Të gjithë tatimpaguesve, të cilët furnizojnë shërbime profesionale, që kanë parapaguar tatimin për periudhën 1 janar 2024 – 30 qershor 2024, administrata tatimore, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, i kalon shumat e paguara për llogari të detyrimeve të tjera tatimore, të papaguara nga tatimpaguesit. Pas kësaj, me kërkesë me shkrim, te tatimpaguesit, shuma e mbetur, nëse ka, rimbursohet automatikisht në llogarinë e tatimpaguesit ose kalohet për llogari të detyrimeve tatimore të ardhshme të tatimpaguesit”.
Një tjetër propozim ka të bëjë me heqjen e gjobave në rastet kur nuk janë paguar: Më saktësisht: “Të gjithë tatimpaguesve, të cilët furnizojnë shërbime profesionale, që janë ngarkuar me detyrime tatimore të papaguara për periudhën 1 janar 2024 – 30 qershor 2024, sipas nenit 69 të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar në vitin 2023, i shfuqizuar me vendimin nr. 52, datë 27.06.2024 të Gjykatës Kushtetuese, administrata tatimore, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, fshin nga sistemi detyrimin tatimor së bashku me kamatëvonesat”.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi në fund të qershorit nenin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat që taksonte me 15% të ardhurat e profesioneve të lira, duke lënë në fuqi atë për taksimin 23%.
