Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar një sërë mangësish dhe parregullsish në veprimtarinë e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), gjatë auditimit të kryer për periudhën 1 janar 2022 deri më 31 dhjetor 2024. Auditimi konstaton devijime nga kuadri ligjor dhe rregullator në disa fusha të funksionimit të institucionit.
Sipas raportit, një nga problemet kryesore lidhet me procesin e rikuperimit të eshtrave të personave të zhdukur gjatë periudhës së komunizmit, i cili nuk ka nisur ende për shkak të mungesës së një akti nënligjor që do të rregullonte procedurat përkatëse. Nisma për një projektvendim të Këshillit të Ministrave ka mbetur e bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve institucionale mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme mbi kompetencën për inicimin e këtij akti, duke penguar krijimin e kuadrit të nevojshëm për veprime konkrete në terren.
Auditimi ka evidentuar gjithashtu probleme në procesin e digjitalizimit të dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit. Sistemi i arkivit digjital, i marrë në dorëzim në korrik 2022, nuk ka funksionuar në mënyrë efektive deri në fund të vitit 2023, pasi databaza nuk ishte populluar me të dhënat e nevojshme dhe nuk mund të gjeneronte raporte të strukturuara për përdorim institucional. Gjatë vitit 2022 janë deklasifikuar 74,579 fletë dokumente arkivore, ndërsa në vitin 2024 janë digjitalizuar 155,844 fletë dokumentesh dhe mikrofilma, që përfshijnë 1,019 dosje fizike dhe 175 dosje mikrofilmash. Nëpërmjet një procedure të veçantë prokurimi janë digjitalizuar edhe 141,000 fletë dokumentesh të tjera nga operatorë ekonomikë.
Në fushën e prokurimeve publike, auditimi ka evidentuar probleme të konkurrencës dhe të hartimit të kritereve të tenderëve. Nga 12 procedura prokurimi të audituara për periudhën 2022-2024, në 5 prej tyre ka marrë pjesë vetëm një operator ekonomik, ndërsa në 2 procedura kanë konkurruar vetëm dy operatorë. Sipas KLSH-së, kjo situatë përbën një tregues risku për transparencën dhe përdorimin efikas të fondeve publike, pasi kufizimi i konkurrencës mund të ndikojë në çmimin final të kontratave dhe në cilësinë e shërbimeve të marra.
Auditimi ka identifikuar gjithashtu dëm ekonomik në zbatimin e dy kontratave publike, ku anekse kontratash janë lidhur jashtë afatit të vlefshmërisë së kontratave fillestare. Në kontratën për blerjen dhe instalimin e pajisjeve të sistemit të kondicionimit, me fond limit 15,208,333 lekë pa TVSH, është llogaritur një penalitet prej 1,408,896 lekësh. Ndërsa në kontratën për blerjen dhe instalimin e sistemit të arkivit digjital, me fond limit 17,792,833 lekë, është konstatuar një penalitet prej 854,880 lekësh. Në total, KLSH rekomandon që autoriteti të ndjekë në rrugë ligjore arkëtimin e 2,263,776 lekëve me TVSH si penalitete për tejkalimin e afateve kontraktuale.
Raporti thekson gjithashtu se janë shpenzuar 2,880,000 lekë për mirëmbajtjen e një sistemi digjital që nuk ka funksionuar në mënyrë efektive, duke mos prodhuar rezultate të përdorshme për nevojat institucionale gjatë periudhës kontraktuale. /ekofin.al
