Pas disa muajsh në rënie, treguesi i ndjesisë ekonomike është rikthyer në trajektore rritëse në muajin mars. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, ky tregu u rrit me 1.1 pikë në mars, ndikuar nga përmirësimi i besimit konsumator dhe i besimit të bizneseve në të gjithë sektorët, me përjashtim të sektorit të tregtisë.
Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 1.4% në mars, ndikuar nga vlerësimet optimiste për kontratat porositëse të bizneseve nga eksportet, si dhe vlerësimi më optimist për prodhimin industrial aktual. Bizneset vlerësojnë në rënie të lehtë gjendjen e inventarëve. Pritjet për çmimet në të ardhmen kanë shënuar rritje të lehtë krahasuar me muajin e kaluar.
Treguesi i besimit në ndërtim gjithashtu shënoi rritje, me 1.6% në mars. Ky tregues ka ruajtur në fakt një trend rritëse përgjatë muajve të fundit dhe qëndron me mbi 15% mbi mesataren historike. Rritja e këtij treguesi u përcaktua nga rritja e vlerësimeve të bizneseve për aktivitetin aktual ndërtues, si edhe për rritjen e punësimit. Por, pritjet për çmimet në këtë sektor u rishikuan lehtë për poshtë.
Treguesi i besimit në shërbime gjithashtu u rrit me 1.2% në mars. Dhe ky tregues ka shënuar rritje të vazhdueshme përgjatë muajve të fundit, ndikuar kryesisht nga pritshmëritë pozitive për shkak të turizmit. Ai qëndron 13% mbi mesataren historike. Bizneset presin përmirësim të mëtejshëm të ecurisë së aktivitetit të tyre, si edhe rritje të punësimit.
Treguesi i besimit në tregti është i vetmi që shënoi rënie në mars, me 2.1%. Në këtë rezultat, ndikuan vlerësimet më pesimiste për ecurinë aktuale të biznesit, si dhe pritjet në rënie për nivelin e punësimit në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë rishikuar në rënie këtë muaj.
Besimi konsumator u rrit me 2.3% në mars, ndikuar nga pritshmëritë pozitive për situatën e përgjithshme të ekonomisë dhe për gjendjen financiare të konsumatorëve në të ardhmen.
Të dhënat me frekuencë tremujore tregojnë se vlerësimet e bizneseve për gjendjen financiare janë më të ulëta se në tremujorin e katërt të vitit 2024. Megjithatë, niveli i tyre në tremujorin e parë 2025 mbetet ndjeshëm mbi mesataren historike. /ekofin.al
