Një vatër me gripin e shpendëve (H5N1) është konfirmuar në fshatin Mëzez, në Tiranë. Lajmin e ka konfirmuar edhe Ministria e Bujqësisë përmes një njoftimi zyrtar, ku bëhet me dije se vatra është karantinuar me qëllim izolimin dhe parandalimin e përhapjes së infeksionit. Megjithatë, rreziku është i pranishëm edhe për vatra të reja, kjo duke marrë në konsideratë edhe rastet e vërejtura dy vite më parë që u bënë shkak për rreth 380 mijë shpendë të ngordhura.
Në njoftimin e ministrisë thuhet se Instituti i Shëndetit Publik është njoftuar për të kryer procedurat e nevojshme për kontrollin dhe vlerësimin e riskut tek njerëzit.
Që nga data 30 tetor, fermerëve iu është ndaluar lëvizja e shpendëve nga fermat e zonave të Bashkive: Tiranë, Vorë dhe Kamëz. Ministria ka ndaluar edhe shitjen dhe tregtimin e shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla. Gjithashtu është vendosur ndalimi i lëvizjes së shpendëve të gjallë pa autorizim të veterinerit zyrtar për në thertore, pasi është kryer testi i PCR-së dhe shpendët kanë rezultuar negativ ndaj sëmundjes. Këto shpendë duhen të jenë të shoqëruar me certifikatën shëndetësore të lëvizjes së shpendëve, në Bashkinë Tiranë, Kamëz dhe Vorë.
Ministria u bën apel fermerëve që për çdo rast dyshimi të komunikojnë menjëherë me shërbimin veterinar rajonal.
“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informon se situata e garantimit të zinxhirit të sigurisë ushqimore është nën kontroll. Deri më tani nuk ka prova epidemiologjike dhe shkencore se ky virus transmetohet nëpërmjet konsumit të produkteve me origjinë shtazore dhe rekomandohet që konsumi i këtyre produkteve të bëhet pas trajtimit termik, me temperaturë të larta mbi 75 gradë Celsius”, thuhet në njoftimin e MBZHR-së.

