Komisioni i Prokurimit Publik (KPP), një hallkë shumë e rëndësishme e procedurave të prokurimit, pritet të riformatohet thuajse tërësisht. Institucioni që ka mbetur pa Kryetar që prej pezullimit të Jonaid Myzyrit, i hetuar nga SPAK për abuzime të mundshme dhe shpërdorim detyre në një procedurë prokurimi, vendim i rrëzuar më pas nga gjykata, tashmë pritet të rifreskojë edhe tre anëtarët që janë në mbarim mandati.
Për këtë arsye, pasi shpalli të përfunduar procedurën për përzgjedhjen e Kryetarit më 7 prill 2026, por pa propozuar një kandidaturë, Kryeministria e ka shpallur sërish thirrjen për kandidim në këtë post, së bashku edhe me thirrjen për 3 anëtarë të komisionit.
Tre anëtarëve aktualë të Komisionit, Fiorent Zguro, nënkryetar, Anila Malaj dhe Kreshnik Ternova u përfundon mandati në 29 qershor 2026, çka e bën procesin edhe më të rëndësishëm për funksionimin e plotë të institucionit.
Komisioni i Prokurimit Publik është një organ kolegjial i përbërë nga 5 anëtarë: një Kryetar, një Nënkryetar dhe tre anëtarë, të cilët emërohen nga Kuvendi me propozim të Këshillit të Ministrave për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Në përbërjen aktuale të KPP, përveç tre anëtarëve, është edhe Gjergj Mersini, i emëruar më 04.04.2024, i cili do të vijojë në detyrë.
Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më 28 maj 2026.
Për postin e Kryetarit kërkohet arsim i lartë në drejtësi, mbi 8 vite përvojë pune, përfshirë të paktën 3 vite në fushën e prokurimeve dhe 2 vite në pozicione drejtuese.
Ndërsa për anëtarët kërkohen mbi 8 vite eksperiencë pune, nga të cilat të paktën 3 vite në prokurime. Ligji përcakton që të paktën tre nga pesë anëtarët duhet të kenë formim juridik, ndërsa vetëm një mund të vijë nga fusha ekonomike ose inxhinierike.
Në të dyja rastet, kandidatët duhet të plotësojnë kritere të forta integriteti: të mos jenë të dënuar, të mos jenë nën procedim penal dhe të mos kenë masa disiplinore në fuqi.
Përzgjedhja do të bëhet nga një komision ad-hoc, i cili brenda 30 ditëve nga mbyllja e aplikimeve do të vlerësojë kandidaturat dhe mund të zhvillojë intervista. Lista e kandidatëve të kualifikuar i dërgohet më pas Kuvendit për miratim. /ekofin.al
