Banka digjitale Revolut njoftoi të martën se ka nisur zyrtarisht operacionet e plota bankare në Meksikë, duke shënuar bankën e parë që kompania krijon jashtë Evropës, ndërsa fintech-u përshpejton zgjerimin në tregje me rritje të shpejtë.
Revolut Bank S.A. IBM është bërë banka e parë digjitale e pavarur që ka siguruar një licencë bankare në Meksikë përmes një aplikimi të drejtpërdrejtë dhe ka kapitalizuar operacionet e saj me mbi 100 milionë dollarë – më shumë se dyfishi i minimumit rregullator.
Zgjerimi në Meksikë, një nga ekonomitë më të mëdha të Amerikës Latine, vjen në një kohë kur fintech-ët globalë po synojnë popullsinë e pabankuar ose pjesërisht të pabankuar në rajon, ku konkurrenca tradicionale bankare mbetet relativisht e ulët.
Revolut, kompania e teknologjisë financiare më e vlefshme në Evropë, ka deklaruar së fundmi se po ndjek marrjen e një licence të plotë bankare në Peru dhe se ka plane për të lançuar edhe një platformë pagesash në Indi.
Licenca në Meksikë do t’i lejojë Revolut-it t’u ofrojë klientëve një gamë shërbimesh bankare digjitale, përfshirë llogari kursimi me norma të larta interesi, mbajtjen dhe këmbimin e mbi 30 monedhave, si dhe transferta ndërkombëtare parash.
Kompania me bazë në Londër, e cila ka mbi 70 milionë klientë në mbarë botën, tha se ky lançim shërben si një model për zgjerimet e ardhshme, ndërsa synon të arrijë mbi 100 milionë përdorues aktivë ditorë në 100 vende./Përshtati nga Reuters, ekofin.al
