Një erë e fortë shpërndan copa plastike nga një vendgrumbullim i hapur mbeturinash drejt lumit Vjosë në Shqipëri. Disa qindra metra më sipër, një tub i madh derdh ujërat e zeza në rrjedhën e shpejtë të lumit. Në pjesë të tjera, ekskavatorë nxjerrin zhavorr nga shtrati për prodhimin e betonit – një praktikë që, sipas ekspertëve, ndryshon rrjedhën e lumit dhe e bën më të paqëndrueshme brigjet e tij.
Muajin e kaluar, UNESCO e shpalli luginën e Vjosës në Shqipëri një nga 26 Rezervat e Reja të Biosferës, si pjesë e një nisme për të “mbrojtur disa nga ekosistemet më të pasura dhe më të brishta të planetit”, sipas deklaratës zyrtare.
Në shumë zona, lugina, e cila ndjek rrjedhën e lumit që nis nga veriu i Greqisë deri në bregdetin Adriatik të Shqipërisë, duket se plotëson kriteret e një zone me pasuri të mëdha natyrore. Aty jetojnë vidra, shqiponja egjiptiane e rrezikuar dhe lloje të rralla bimësh.
Lumi, një nga rrjedhat e fundit të pandërprera në Evropë, përshkon gryka të pyllëzuara dhe lugina të gjelbra të pabanuara. Në vitin 2023, qeveria shqiptare e shpalli atë Park Kombëtar, një arritje e rëndësishme për ruajtjen e mjedisit.
Kjo njohje është një përfitim i madh për Shqipërinë – një vend ballkanik me rreth 2.4 milion banorë, ku turizmi drejt bregdetit dhe maleve është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa vendi synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në fund të dekadës.
Por, përtej peizazheve mbresëlënëse, ambientalistët shprehin shqetësim për të ardhmen.
“Dokumentet e njohjes ndërkombëtare si ato të UNESCO-s nuk i zgjidhin problemet,” tha Besjana Guri, nga organizata mjedisore joqeveritare Lumi (River), gjatë një vizite të saj në luginë javën e kaluar.
UNESCO deklaroi se, kur shfaqen probleme, ekspertët e saj do të nisin konsultime me qeverinë shqiptare për t’i verifikuar ato.
“Përfshirja e një siti në Rrjetin Botëror të Rezervateve të Biosferës nuk nënkupton se të gjitha sfidat janë zgjidhur, por se vendi përkatës është angazhuar t’i adresojë ato,” tha UNESCO në një deklaratë për agjencinë Reuters.
Në raportet e mëparshme, UNESCO theksoi se do të ndiqte kritere të rrepta përpara se t’i jepte Vjosës statusin e rezervatit të biosferës.
Ministri shqiptar i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, i cili mban në zyrë një kopje të kornizuar të certifikatës së UNESCO-s, pranoi ekzistencën e problemeve gjatë një interviste për Reuters. Ai tha se ministria e tij planifikon të investojë mbi 150 milionë euro për trajtimin e ujërave të ndotura dhe mbylljen e të gjitha vendgrumbullimeve të mbeturinave.
Megjithatë, për shumë banorë, dëmi është tashmë i bërë. Puset e naftës dhe gropat e bitumit përgjatë lumit rrezikojnë ndotje të mëtejshme, thonë ata.
Agron Zia, 55 vjeç, nxori delet dhe dhitë për t’i kullotur në brigjet e lumit javën e kaluar. Ai tregoi me dorë drejt vendgrumbullimit të mbeturinave, ku plastika e fluturuar nga era mbetet e kapur në degët e pemëve aty pranë.
“Kur isha i vogël, notonim këtu gjatë gjithë verës. Tani të dhemb kur fëmijët e tu nuk mund të futen në ujë për shkak të ndotjes dhe plehrave,” tha ai me trishtim./Përshtati nga Reuters, ekofin.al








