Qeveria ka vendosur të ndryshojë kategorinë e përdorimit të disa pasurive në qarkun Lezhë nga “pyll” në “truall” që preken nga investimi i shoqërisë “Dukagjini Group” sh.p.k.
Nga fondi pyjor privat do të pakësohen në volum pasuritë me numrat 1016/7, 1016/8, 1017/8 dhe 1017/5, zona kadastrale 2568, Bashkia Lezhë, me sipërfaqe totale prej 3 (tre) ha, pjesë e ngastrave nr.61a, 62a dhe 62b të ekonomisë pyjore “Mali i Rencit”, që do të përdoret nga shoqëria “Dukagjini Group”, sh.p.k., për realizimin e projektit të ndërtimit të objekteve me funksion banimi dhe shërbimi me 1-6 kate mbi tokë dhe 1 kat nën tokë, dhe të objektit me funksion hoteleri dhe kazino me 2, 4, 6 dhe 7 kate mbi tokë dhe 2 kate nën tokë, sipas lejes së zhvillimit, të miratuar me vendimin nr.25, datë 1.8.2023, të Këshillit Kombëtar të Territorit të Republikës së Shqipërisë.
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria “Dukagjini Group”, sh.p.k., detyrohet të rehabilitojë sipërfaqen pyjore, duke pyllëzuar me fondet e veta një sipërfaqe prej 6.6 (gjashtë pikë gjashtë) ha, në ngastrat e përcaktuara në marrëveshjen me Bashkinë Lezhë ose të paguajë paraprakisht kostot e përllogaritura për pyllëzimin kompensues përkatës, thuhet në vendim.
Gjithashtu shoqëria duhet të kryejë veprimet për ndryshimin e kategorisë nga “pyll” në “truall” pranë ASHK-së Lezhë.
Më parë, Komiteti i Investimeve Strategjike i kishte njohur statusin “me procedurë të veccantë” shoqërisë “Dukagjini” sh.p.k, e cila pritet të ndërtojë në Lezhë resortin turistik “Dukagjini resort”, hotel dhe kazino 7 kate dhe 2 kate nën tokë. Hoteli me 5 yje do të ketë 140 dhoma si dhe njësi akomoduese, së bashku me ambiente shërbimi si restorante, kazino dhe park ujor. Vlera e investimit për projektin e propozuar parashikohet të jetë 70.2 milionë euro dhe numri i të punësuarve parashikohet të jetë 218 punonjës. Kompania ndërtuese “DUKAGJINI” sh.p.k është në pronësi të manjatit kosovar Ekrem Lluka, i cili zotëron aksione në disa biznese që operojnë në fushën e telekomunikimit, shtypshkronjës, sigurimeve, ndërtimit, energjisë, shëndetësisë dhe mediave./ekofin.al
