Rreshjet e ditëve të fundit kanë sjellë efekte pozitive për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, duke përmirësuar situatën hidrike në Kaskadën e Drinit. Sipas të dhënave nga KESH, prurjet në datën 30 nëntor u regjistruan në 300 m3/s në hidrocentralin e Komanit dhe 320 m3/s në hidrocentralin e Vaut të Dejës.
Aktualisht, HEC Koman është në kuotat e 169.6 metra mbi nivelin e detit, ndërsa Vau i Dejës 74.3 m mbi nivelin e detit. Aktualisht, po prodhohet 10 150 mwh energji, me kapacitete të plotë në këto 2 hidrocentrale, ndërkohë që hidrocentrali Fierzës sipas KESH nuk po prodhon energji, me qëllim ruajtjen e rezervës energjetike, që aktualisht rezulton në 438 GwH. Mungesa e reshjeve të shiut nuk ka favorizuar prodhimin e energjisë në muajt e fundit, ndryshe nga 6-mujori i parë i vitit që rezultoi një vit i mirë hidrik.
Kjo ka sjellë shpenzimin e miliona eurove për importin e energjisë nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me qëllim plotësimin e nevojave konsumatore. Sipas të dhënave të përpunuara nga TV SCAN vetëm për muajin nëntor Furnizuesi i Tregut të Lirë, që është pjesë e OSHEE Group shpenzoi 76.43 mln euro, për blerjen e 275 073 MWH energji. Çmimi mesatar me të cilin u sigurua energjia rezultoi në 314.82 euro/mwh, ndërsa rekordi u shënua në një nga procedurat e fundit ku çmimi I blerjes arriti në 378.71 euro/mwh.