Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nisur regjistrimin digjital të pronave në Tropojë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në realizimin e projektit kombëtar për digjitalizimin e të dhënave të pronësisë.
Ky proces synohet të përfundojë në të gjithë territorin e Shqipërisë deri në fund të vitit 2026, duke krijuar mundësinë për një shërbim më të shpejtë dhe efikas për qytetarët përmes platformës “e-Albania”.
Në një postim të tij në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ndau pamje nga puna në terren për këtë proces dhe theksoi se regjistrimi digjital i pronave do të mundësojë shërbime të shpejta dhe të sakta për qytetarët, duke e bërë më të thjeshtë dhe të sigurt procesin e regjistrimit.
Sipas tij, përdorimi i Inteligjencës Artificiale do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe saktësisë së të dhënave.
“Agjencia Shtetërore e Kadastrës në terren për regjistrimin digjital të pronave, që deri në dhjetor 2026 do të përfshijë krejt territorin, duke krijuar kushtet e një shërbimi të shpejtë përmes e-Albanias, ku Inteligjenca Artificiale do të ndikojë fort në cilësinë e shërbimeve”, theksoi ai.
Ekspertët e Kadastrës në terren theksuan se pas përfundimit të regjistrimit fillestar, zona do të ngarkohet në sistem, dhe qytetarët do të kenë mundësinë të aplikojnë për të marrë titujt e pronësisë.
Në lidhje me këtë projekt, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka bërë të ditur se deri në fund të vitit 2025 do të përfundojë skanimi dhe arkivimi elektronik i të gjithë dokumentacionit tekniko-ligjor referues, ndërsa deri në fund të vitit 2026 pritet të përfundojë regjistrimi fillestar.
