Në Fletoren Zyrtare është publikuar urdhri nr. 967, datë 6.10.2025, i Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i cili vendos rregulla të reja, më të qarta dhe të harmonizuara me standardet e Bashkimit Evropian për identifikimin, regjistrimin dhe gjurmueshmërinë e disa kafshëve tokësore të mbajtura në Shqipëri. Akti, i përafruar pjesërisht me Rregulloren Zbatuese (BE) 2021/520, shtrihet mbi gjedhët, delet, dhitë, derrat, deve (camelid), drerët (cervid) dhe madje edhe papagajt (psittacidae), duke e afruar infrastrukturën e kontrollit veterinar me praktikën më të mirë evropiane. Në thelb, urdhri kërkon që operatorët të raportojnë në bazat e të dhënave lëvizjet, lindjet dhe ngordhjet brenda 7 ditëve, ndërsa për lëvizjet sezonale të gjedhëve drejt kullotave të regjistruara në zona malore lejohet zgjatje deri në 14 ditë, me kusht që të dorëzohen lista të detajuara me identifikimin e kafshëve, stabilimentin e origjinës, datën e mbërritjes dhe atë të nisjes së parashikuar. Në të njëjtën frymë, operatorët marrin akses pa pagesë për të lexuar të dhënat e stabilimenteve të tyre në databazat kombëtare, ndërsa autoritetet përgjegjëse duhet të garantojnë që këto sisteme të jenë të sigurta, të qëndrueshme edhe në rast ndërprerjesh, dhe të ndërveprueshme për shkëmbim informacioni sipas skemave teknike të paracaktuara (përfshirë XML), me perspektivë që, pas anëtarësimit në BE, të mundësohet shkëmbim ndër-shtetëror i të dhënave në formate harmonizuese.
Rregullat prekin edhe mjetet e identifikimit. Përveç matrikujve konvencionalë të veshit apo llastikut mbi kurorën e thundrës, parashikohen identifikues elektronikë si transponderë dhe bolusë ruminalë për specie të ndryshme, ndërsa për papagajt lejohet unaza e këmbës, tatuazhi ose transponderi injektues, gjithnjë sipas specifikimeve teknike që miratohen nga autoriteti kompetent. Miratimi i pajisjeve elektronike kushtëzohet me testime performance dhe përputhshmërie në laboratorë të akredituar sipas ISO/IEC 17025, me mundësi kërkese për prova shtesë nëse e diktojnë kushtet gjeografike apo klimatike. Kodi i identifikimit për gjedhët, delet, dhitë, deve dhe drerët do të përbëhet nga kodi i vendit (ISO 3166-1, alfa-2 ose numerik) dhe një numër unik deri në 12 shifra për çdo kafshë, duke standardizuar mënyrën si regjistrohet dhe gjurmohet individi në gjithë ciklin e jetës dhe lëvizjeve të tij.
Afatet e vendosjes së mjeteve të identifikimit janë të diferencuara sipas species, por me logjikë të përbashkët: për gjedhët mjetet aplikohen brenda 20 ditëve nga lindja, me mundësi zgjatjeje deri në 60 ditë vetëm për mjetin e dytë kur përdoret bolus ruminal; në sisteme ekstensive, me viça që rriten me nënat, pa kontakt të rregullt me njerëzit dhe në zona me izolim të lartë, lejohet shtyrje deri në 9 muaj pa cenuar gjurmueshmërinë. Për delet dhe dhitë afati maksimal është 9 muaj, po ashtu edhe për derrat, ku parashikohen edhe matrikuj elektronikë të veshit me shfaqje të qartë të numrit të stabilimentit. Për deve dhe drerë afati është po 9 muaj, me përjashtime të posaçme në rrethana të përcaktuara për drerët. Rregulli është i prerë: asnjë kafshë nuk largohet nga stabilimenti i lindjes pa u pajisur me identifikimin përkatës. E njëjta filozofi zbatohet edhe për kafshët që hyjnë në territorin shqiptar: identifikimi vendoset brenda 20 ditëve nga mbërritja në stabilimentin e parë, dhe para çdo lëvizjeje të radhës. Në planin e qarkullimit të informacionit, urdhri kërkon që të dhënat e dokumenteve të identifikimit për gjedhët të dërgohen elektronikisht në vendin e destinacionit përpara nisjes së kafshëve, duke vendosur një ‘paralajmërim’ dixhital që rrit transparencën dhe ul rreziqet.
Mbrojtja e gjurmueshmërisë shtrihet edhe te heqja, modifikimi dhe zëvendësimi i mjeteve të identifikimit: këto veprime autorizohen vetëm kur nuk cenohet zinxhiri i gjurmueshmërisë dhe kur mbetet i mundur identifikimi i stabilimentit të lindjes; zëvendësimi bëhet sa më shpejt dhe përpara çdo lëvizjeje të kafshëve, ndërsa në raste teknike kur kodi ekzistues nuk mund të riprodhohet në formë elektronike, lejohet një kod i ri me kusht që të dy kodet të regjistrohen në bazat e të dhënave. Zbatimi praktik i këtij urdhri mbështetet nga Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit në fushën e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë, Mbrojtjes së Bimëve dhe Peshkimit, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Me hyrjen në zbatim më 11 korrik 2027, kuadri i ri pritet të sjellë disiplinë të shtuar në menaxhimin e tufave dhe rritje besimi përgjatë gjithë zinxhirit ushqimor nga ferma te tregu duke e bërë sistemin tonë të identifikimit të kafshëve jo vetëm më të sigurt e të standardizuar, por edhe të gatshëm për ndërveprim me infrastrukturën dixhitale veterinare të BE-së. /ekofin.al

