40 bashki të vendit kanë marrë vendim për t’u bërë pjesë e reformës në sektorin e ujit, ndërsa ditën e sotme u nënshkruan marrëveshjet për krijimin e tri shoqërive të para të ujësjellës kanalizimeve nga bashkitë në qarkun e Durrësit, Korçës dhe bashkitë Pogradec e Përrenjas.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se reforma në sektorin e ujit është më e vështira, duke qenë se furnizimi me ujë është e drejtë bazike dhe është e vështirë të ndërhyhet në rast se konsumatori nuk paguan faturën.
“I gjithë ky proces është bazuar mbi një analizë shumë të thellë. Nuk kemi ardhur këtu thjesht sepse menduam që është më mirë ta bëjmë kështu. Kemi bërë një analizë mbi kritere. Tre kryesoret janë ato që kanë të bëjnë me afërsinë e territoreve të shoqërive që mbulojnë shërbimin; burimet ujore, ku janë dhe si shpërndahen dhe kriteri që ka të bëjë me numrin e abonentëve. Jo më pak se 25 mijë abonentë për një shoqëri të agreguar”, tha ministrja Balluku, e pranishme në ceremoninë për nënshkrimin e marrëveshjeve.
Balluku tha se me reformën në sektorin e ujit qeveria synon një transformim rrënjësor të kësaj situate.
“Qëllimi kryesor dhe i vetëm është përmirësimi i shërbimit, duke u ofruar qytetarëve ujë të pijshëm 24 orë në 24 dhe si rrjedhojë edhe shëndoshjen financiare të të gjitha kompanive të reja që do të krijohen”, deklaroi Balluku.
Ministrja vuri në dukje se agregimi i ujësjellësve është e vetmja mundësi për të shmangur të gjitha problematikat që janë evidentuar deri më sot, si pasojë e skemës të copëzuar të furnizimit me ujë, por sigurisht edhe të investimeve të copëzuara.
“Ajo që agregimi parashikon nga momenti që ne do të fillojmë menjëherë punën së bashku, dhe unë e quaj këtë një punë së bashku, fakti që pushteti qendror do të ketë 51 % të aksioneve, pra paketën kontrolluese, nuk e bën për asnjë moment që përgjegjësia të jetë vetëm e pushtetit qendror. Kjo do të jetë një punë e përbashkët midis pushtetit vendor, duke respektuar autonominë tuaj plotësisht, dhe qeverisë qendrore, e cila do të jetë aty për të monitoruar procesin dhe për ta zbatuar atë akoma më mirë duke qenë se kemi këto 15 agregime”, u shpreh Balluku.
Kreu i AKUM-it Klevis u shpreh se deri tani 40 bashki kanë miratuar vendimin në këshillat e tyre bashkiakë për t’u përfshirë në reformën e ujit, 7 bashki do të miratojnë vendimin në këshillat bashkiakë brenda këtij muaji, ndërsa në javët e para të korrikut pritet që edhe 14 bashki të miratojnë vendimin në këshillat bashkiakë përkatës.