Administrata publike do të marrë hapa për t’u bërë e gjelbër. Ky është një nga synimet e drafstragjisë ndërsektoriale për reformën në Administratën Publike 2024-2030.
Parimi i qëndrueshëmërisë dhe qasja afatgjatë do të jenë në thelb të proceseve vendimmarrëse, të cilat integrojnë çështjet mjedisore dhe ndryshimet klimatike.
Në këtë këndvështrim, reduktimi i gjurmës mjedisore të aseteve, investimeve dhe burimeve nën menaxhim nga shteti mund të ketë ndikim thelbësor në klimë dhe qëndrueshmëri. Menaxhimi i gjelbër i financave publike shërben si një lehtësues thelbësor për një strategji të unifikuar të Qeverisë Shqiptare në adresimin e ndryshimeve klimatike, thuhet në dokument.
Cilat janë masat konkrete?
Përdorimi i teknologjisë së informacionit (TIK)
Digjitalizimi i proceseve të brendshme të qeverisjes mund të zvogëlojë ndjeshëm konsumin e letrës, energjisë, dhe transportit që shoqëron procedurat administrative.
Për një sektor publik që redukton përdorimin e letrës fizike, vetiu lind detyra për t’iu përgjigjur më shpejt kërkesave të qytetarëve dhe biznesit, në mënyrë më efikase dhe duke shpenzuar më pak burime. Megjithatë, nga ana tjetër digjitalizimi mund të çojë në nevojën për më shumë pajisje teknologjike dhe konsum më të lartë të energjisë, dhe për rrjedhojë edhe rritje të emetimeve të gazeve me efekt serrë.
Për këtë arsye, duhet promovuar zgjerimi i përdorimit të energjisë së rinovueshme për të gjeneruar energji elektrike në sektorin TIK, dhe së dyti, përdorimin e zgjidhjeve digjitale të gjelbra më efikase për konsumimin e energjisë në institucionet publike.
Masa për prokurimin publik
Përdorimi më i madh i mjeteve të buxhetimit të gjelbër do të ndihmojë në ridrejtimin e investimeve publike, konsumit dhe taksave drejt prioriteteve të gjelbra dhe larg subvencioneve të dëmshme. Krahas kësaj, gjelbërimi i administratës publike ka potencialin të ketë efekte të ndjeshme në promovimin e inovacionit, reduktimit të kostove, si dhe ofrimit të shërbimeve më cilësore për qytetarin.
Në Shqipëri, ligji aktual nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar në vitin 2024, ka vendosur disa detyrime për autoritetet kontraktore që të respektojnë kërkesat e legjislacionit mjedisor, social dhe të punës, përmes udhërrëfyesve dhe udhëzimeve për prokurimin e gjelbër. Këto aspekte përfshijnë mbrojtjen e mjedisit, përkrahjen e perspektivës sociale, nxitjen e inovacionit dhe rritjen e eficencës energjitike.
Një synim tjetër është rritja e efikasitet të përdorimit të energjisë dhe të burimeve, reduktimin e mbetjeve, promovimin e riciklimit dhe zbatimi i nismave miqësore me mjedisin.
Përdorimi i sistemeve elektronike të ndërveprimit
Sistemet elektronike për menaxhimin e proceseve të ndryshme të punës dhe burimeve njerëzore do të kontribuojnë në ndërtimin dhe konsolidimin e një administrate të gjelbër, ku përdorimi i letrave dhe shkresave do të reduktohet maksimalisht.
Regjistri Qendror i Personelit është në fazë rishikimi në përfundim të të cilit parashikohet të jetë operativ me të gjitha funksionalitetet në vitin 2028.
Një ndër funksionet kryesore të tij është gjenerimi automatik i listës së pagave të institucioneve, duke mundësuar llogaritjen elektronike të pagave dhe të kostos së tyre për institucionet publike. Kjo do të lehtësojë gjithashtu edhe kryerjen e skenarëve për ndërmarrjen e politikave të caktuara në këtë fushë.
Po kështu, rritja e ndërveprimit virtual mes institucioneve publike, përmes përdorimit të platformave të dedikuara dhe modeleve të miratuara për këtë qëllim, do të jetë një mënyrë efikase drejt një tranzicioni të gjelbër./ekofin.al