Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e datës 23 korrik vendimin për transferimin e pronës shtetërore nr. 867/7, në zonën kadastrale 1604, në pronësi të Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH), për realizimin e projektit të investimit “Expo Albania”.
Projekti synon të zhvillojë një hapësirë moderne me funksione ekspozuese, ekonomike dhe publike, në përmbushje të interesit publik. KISH do të ketë rol të drejtpërdrejtë si zhvillues i kësaj pasurie, vetë ose përmes një subjekti të krijuar prej saj, dhe është autorizuar të hapë procedurë konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, bazuar në konceptidenë arkitekturore fituese të konkursit ndërkombëtar të arkitektit Steven Holl.
“Projekti Expo Albania aspiron standardet më të larta ekologjike me ngrohje dhe ftohje gjeotermale, pllaka diellore të bardha të teknologjisë së fundit për të shfrytëzuar të gjithë energjinë elektrike“, përshkruhet në faqen e arkitektit.
Në vijim të procedurës, Korporata do të ketë të drejtën të negociojë me investitorët privatë për lidhjen e kontratës përkatëse të zhvillimit. Gjithashtu, KISH do të ndërmarrë hapat për konsolidimin e pasurisë në rast mospërputhjeje të gjendjes faktike dhe ligjore, si dhe të procedojë me prishjen e objektit ekzistuese pjesë e pasurisë nr.867/7, në zonën kadastrale 1604 në funksion të projektit, përcaktohet në vendim.
Në listat e pronave, që i bashkëlidhen vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, hiqet pasuria shtetërore nr.867/7, në zonën kadastrale 1604.
Vendimi ngarkon për zbatim Ministrinë e Mbrojtjes, Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare./ekofin.al



