Shqipëria po shfaqet si një nga vendet me përdorimin më të lartë të shërbimeve publike online në rajon, por pas këtij suksesi në volum fshihet një dobësi e shërbimeve në cilësi.
Të dhënat e DESI 2025 të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, RCC tregojnë se në vitin 2024 rreth 88.6% e përdoruesve të internetit në Shqipëri kanë ndërvepruar me administratën online, një rritje e fortë nga 78.5% në vitin 2023.
Ky nivel e vendos vendin jo vetëm mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor (54%), por edhe mbi atë të Bashkimit Evropian (75%). Rritja lidhet drejtpërdrejt me platformën e-Albania, e cila ka konsoliduar rolin si porta kryesore e shërbimeve publike, duke ofruar rreth 95% të tyre, ose 1,277 shërbime. Platforma numëron 3.43 milionë përdorues dhe vetëm gjatë vitit 2025 ka gjeneruar rreth 17 milionë shërbime, nga 15.2 milionë një vit më parë.
Por ndërsa përdorimi është rritur, cilësia e shërbimeve mbetet një pikë e dobët. Vlerësimi për shërbimet digjitale për qytetarët është përmirësuar nga 36 në 50 pikë, por ende mbetet nën mesataren e rajonit (53) dhe shumë larg standardeve të BE-së (82). Edhe më shqetësuese është ecuria për shërbimet ndaj bizneseve, të cilat kanë pësuar rënie nga 66 në 62 pikë, duke reflektuar regres në këtë segment.
Në disa elementë teknikë, progresi është më i dukshëm. Përdorimi i formularëve të paraplotësuar është rritur lehtë nga 65 në 66 pikë dhe tashmë është në linjë me rajonin, falë përmirësimit të ndërveprimit mes regjistrave dhe shkëmbimit automatik të të dhënave. Megjithatë, transparenca dhe dizajni i shërbimeve mbeten problematikë: treguesi është rritur nga 30 në 33 pikë, por vijon të jetë dukshëm nën mesataren rajonale (37) dhe shumë larg BE-së (69).
Përvoja e përdoruesit nuk ka shënuar përmirësim, duke mbetur në 59 pikë, çka tregon se ndërveprimi me shërbimet nuk është ende në nivelin e pritshëm, sidomos krahasuar me BE-në (89). Në të kundërt, një nga pikat më të forta mbetet aksesueshmëria përmes celularit, ku Shqipëria arrin 95 pikë, pothuajse në nivelin e BE-së (96).
Dobësia më e theksuar mbetet në sektorin shëndetësor. Aksesi në të dhënat shëndetësore elektronike qëndron në vetëm 40 pikë, shumë poshtë rajonit (51) dhe larg BE-së (83), duke treguar mungesë të integrimit të plotë të këtij sistemi në infrastrukturën digjitale.
Raporti sugjeron se Shqipëria ka arritur të ndërtojë një model funksional për ofrimin e shërbimeve online dhe ka arritur t’i bëjë ato masivisht të përdorura. Megjithatë, sfida e radhës nuk është më zgjerimi i përdorimit, por përmirësimi i cilësisë, thellësisë dhe besueshmërisë së shërbimeve.
Kjo gjë kërkon jo vetëm investime teknologjike, por edhe përmirësim të kornizës ligjore. Miratimi i ligjit për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besimit pritet të harmonizojë sistemin shqiptar me standardet e BE-së dhe të krijojë bazën për një administratë digjitale më të avancuar. /ekofin.al

