Sektori i teknologjisë në Shqipëri është më i përqendruari gjeografikisht në Ballkanin Perëndimor, me 82% të profesionistëve ICT të vendosur në Tiranë, sipas raportit të ri të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për aftësitë ICT në gjashtë ekonomitë e rajonit. Përqendrimi i lartë po e kthen zhvillimin e sektorit në një aktivitet kryesisht të kryeqytetit dhe RCC vlerëson se Shqipëria duhet të zgjerojë bazën e profesionistëve dhe mundësitë e zhvillimit jashtë Tiranës.
Raporti “Aftësitë ICT në Ballkanin Perëndimor”, thotë se përqendrimi gjeografik i teknologjisë është problem në të gjithë rajonin, por Shqipëria dallon veçanërisht. Në Bosnjë-Hercegovinë, për shembull, rreth 65–70% e kapacitetit IT është përqendruar në Sarajevë, ndërsa në Malin e Zi ekosistemi është i përqendruar kryesisht në Podgoricë, me një qendër më të vogël në Budva. Në Serbi dominojnë Beogradi dhe Novi Sadi, por janë krijuar qendra më të vogla edhe në Nish, Kragujevac dhe Suboticë.
RCC paralajmëron se një strukturë e tillë rrezikon që politikat për zhvillimin e aftësive ICT të shndërrohen në praktikë në politika vetëm për kryeqytetet, nëse nuk ndërhyhet që kërkesa për punonjës dhe infrastruktura e trajnimit të shpërndahen më gjerësisht. Për Shqipërinë, kjo nënkupton se vetëm rreth 18% e profesionistëve ICT ndodhen jashtë Tiranës.
Përqendrimi territorial shoqërohet edhe me një karakteristikë tjetër të tregut shqiptar: pjesa më e madhe e fuqisë punëtore ka tashmë eksperiencë. RCC vlerëson se sektori ICT në Shqipëri ka rreth 23 mijë profesionistë, ndërsa 80% e tyre janë në nivel të mesëm ose senior. Raporti e konsideron këtë tregues të kapitalit njerëzor të akumuluar gjatë rreth një dekade, por njëkohësisht thekson nevojën për zgjerimin e bazës së hyrjeve të reja në profesion.
Në rekomandimet specifike për vendet e rajonit, RCC e vendos pikërisht shpërndarjen territoriale ndër prioritetet e Shqipërisë. Duke pasur parasysh se 82% e aktivitetit është në Tiranë dhe se fuqia punëtore dominohet nga profesionistët me përvojë, raporti rekomandon zgjerimin e bazës së sektorit, tërheqjen e hyrjeve të reja dhe zhvillimin e profesionistëve jashtë kryeqytetit.
Kjo problematikë merr peshë edhe për shkak të fazës ku ka hyrë tregu shqiptar i teknologjisë. RCC vlerëson se rritja e sektorit është moderuar në rreth 5% në vit, duke kaluar nga periudha e zgjerimit të shpejtë drejt një faze më të qëndrueshme. Sipas raportit, kjo kërkon politika të ndryshme nga ato të fazës së parë të zhvillimit, me më shumë vëmendje te zgjerimi i bazës së talenteve dhe shpërndarja e tyre gjeografike. /ekofin.al
