Gjatë vitit 2021, dhjetë nga ngjarjet më ekstreme të motit në botë u shkaktuan nga ndryshimet klimatike dhe sollën një dëm prej 170.3 miliardë dollarësh, ku uragani vdekjeprurës Ida që goditi SHBA-në solli koston më të madhe, sipas një studimi të shoqatës bamirëse “Christian Aid”.
Sipas vlerësimeve të kompanisë së sigurimeve Aon, 2021 është viti i gjashtë që katastrofat natyrore globale kanë kushtuar më shumë se 100 miliardë dollarë – të gjashta këto vite kanë qenë që nga viti 2011.
Sipas shifrave: Ngjarjet e motit me kostot më të larta për vitin 2021, sipas Christian Aid, janë:
1. Uragani Ida – 65 miliardë dollarë.
2. Përmbytjet në Europë – 43 miliardë dollarë.
3. Stuhia e dimrit në Teksas – 23 miliardë dollarë.
4. Përmbytjet në Henan (Kinë) – 17.6 miliardë dollarë.
5. Përmbytjet në British Columbia – 7.5 miliardë dollarë.
6. “Vala e ftohtë” e Francës – 5.6 miliardë dollarë.
7. Cikloni Yaas (Indi, Bangladesh) – 3 miliardë dollarë
8. Përmbytjet në Australi – 2.1 miliardë dollarë.
9. Tajfuni In-fa (Kinë, Filipine, Japoni) – 2 miliardë dollarë.
10. Cikloni Tauktae (Indi, Sri Lanka, Maldive) – 1.5 miliardë dollarë.
Kostot financiare janë zakonisht më të larta në vendet më të pasura, sepse vlera e pronës aty është më e lartë dhe këto vende mund të përballojnë sigurimin e pronës, sipas raportit. Por, disa nga ngjarjet më shkatërruese të motit ekstrem përgjatë vitit 2021 goditën vendet më të varfra.
Këto ngjarje ekstreme të motit kanë shkaktuar vuajtje të rënda njerëzore që kanë ardhur nga pasiguria ushqimore, thatësirat dhe ngjarje të tjera që kanë shkaktuar zhvendosje masive të personave që u janë prishur banesat, si dhe humbje jetësh, thekson raporti.