Numri i mjekëve të trajnuar jashtë vendit në rajonin europian është rritur me 58 për qind gjatë një dekade, tregon raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Varësia e Europës nga mjekët dhe infermierët e huaj po rritet dhe kjo mund të krijojë sfida për sistemet shëndetësore në vitet e ardhshme, paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në një raport të ri. Rajoni europian i OBSH-së, që mbulon 53 vende në Europë dhe Azinë Qendrore, pritet të përballet me një mungesë prej 950 mijë punëtorësh shëndetësorë deri në vitin 2030 – dhe po i drejtohet emigracionit për ta mbushur këtë boshllëk.
Mes viteve 2014 dhe 2023, numri i mjekëve të rinj në fuqinë punëtore europiane pothuajse u trefishua, ndërsa numri i infermierëve u rrit pesëfish, sipas raportit. Në atë periudhë, numri i mjekëve të trajnuar jashtë vendit u rrit me 58 për qind dhe i infermierëve të trajnuar jashtë vendit u rrit me 67 për qind. Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar përbënin pjesën më të madhe të këtij rritjeje.
Deri në vitin 2023, 60 për qind e mjekëve të rinj dhe 72 për qind e infermierëve të rinj në tregun e punës europian ishin trajnuar jashtë vendit. Kjo përfshin si punëtorë shëndetësorë nga vendet fqinje europiane, ashtu edhe nga Azia, Afrika apo Amerika. Ky ndryshim ka krijuar një ndarje të theksuar: vendet e Europës Lindore dhe Jugore po humbasin punëtorë shëndetësorë drejt vendeve të Europës Perëndimore dhe Veriore, duke përkeqësuar mungesat në disa zona, ndërkohë që i mbushin ato në të tjera, gjeti raporti.
“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me shifrat,” tha në një deklaratë Dr. Natasha Azzopardi-Muscat, drejtuese e ekipit të politikave dhe sistemeve të shëndetit të vendeve në OBSH Europë. “Pas çdo mjeku apo infermieri migrant fshihet një histori ambicieje dhe mundësie, por shpesh edhe tensione mbi familjet dhe mbi sistemet shëndetësore kombëtare që ata lanë pas,” shtoi ajo.
Këto sfida mund të intensifikohen në vitet e ardhshme për shkak të rritjes së kërkesës për kujdes shëndetësor tek popullsia që po plaket, si edhe për shkak të pensionimit të punonjësit shëndetësorë, që mund të jetë e vështirë të zëvendësohen. Në disa vende, mbi 40 për qind e mjekëve janë 55 vjeç ose më të vjetër. Kjo do të “shtojë në mënyrë të pashmangshme presionin për rekrutime aktive ndërkombëtare,” tha raporti.
Zyrtarët e OBSH-së u bënë thirrje vendeve të rrisin përpjekjet për të mbajtur punëtorët e tyre shëndetësorë dhe të përmirësojnë planifikimin e fuqisë punëtore për të ardhmen. Ata thanë se politikat duhet të adresojnë faktorët dhe ndikimet e llojeve të ndryshme të punës ndërkombëtare, duke përfshirë zhvendosjet afatgjata, kontratat afatshkurtra dhe lëvizjet ditore ndërkufitare.
“Migracioni i punëtorëve shëndetësorë është një realitet në tregun e ndërlidhur të punës në Europë, dhe duhet të menaxhohet më drejt dhe më qëndrueshëm,” tha Azzopardi-Muscat./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

