Vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që kanë statusin e vendit kandidat, do të kenë këtë vit rritje më të madhe ekonomike sesa që pritej, parashihet në raportin e “Prognozave ekonomike vjeshtore” të Komisionit Evropian.
Njëlloj sikur edhe në vendet e BE-së edhe në këto shtete të rajonit rritja ka marrë hov në tre tremujorët e këtij viti dhe ka ndihmuar në rimëkëmbjen ekonomike.
Pas rënies së madhe vitin e kaluar për shkak të pasojave të pandemisë, edhe vendet e rajonit shumë shpejt, disa edhe para fundit të këtij viti, do të jenë në nivelin që kishin para pandemisë, pra në vitin 2019.
Çfarë ndikoi te rritja ekonomike?
Në vendet si Shqipëria dhe Mali i Zi, kontributin më të madh në rritjen ekonomike përmbi parashikimet e mëhershme e ka pasur sezoni jashtëzakonisht i suksesshëm turistik. Në rastin e Shqipërisë, kryesisht, ka ndikuar ardhja e numrit të madh të turistëve nga vendet fqinje, por edhe investimet publike.
Në vendet si Serbia dhe Maqedonia e Veriut shtytësi kryesor i rritjes ekonomike ka qenë rritja e shpenzimeve të familjeve dhe e kërkesave. Në rastin e Serbisë kontribut të madh në rritjen ekonomike kanë pasur edhe investimet e mëdha publike në projektet e infrastrukturës.
Sipas parashikimeve të Komisionit Evropian të përfshira në raportin e “Prognozave ekonomike vjeshtore” rritjen më të madhe të Bruto Prodhimit Vendor për këtë vit do ta ketë Mali i Zi, i cili në nivel vjetor pritet të këtë rritje prej 10,7 për qind. Parashikimet për Mali e Zi për vitin 2022 janë për një rritje prej 6,4 për qind, ndërsa për vitin 2023 rritja pritet të jetë 3,2 për qind.
Shqipëria pritet të shënojë rritje prej 6,9 për qind këtë vit. Vitin e ardhshëm do të ketë rritje prej 3,7 për qind, ndërsa në vitin 2023 rritje prej 3,6 për qind.
Rritja ekonomike për Serbinë këtë vit nga Komisioni Evropian parashikohet të jetë 6,7 për qind, në vitin 2022 rritja do të jetë 4,3 për qind dhe në të njëjtin nivel, pra 4,3 për qind, të jetë edhe në vitin 2023.
Komisioni Evropian për Maqedoninë e Veriut ka prognozuar rritje prej 4 për qind këtë vit, ndërsa 3,9 për qind vitin e ardhshëm dhe 3,3 për qind në vitin 2023.