“Rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë në vitin 2021 është më e fortë nga sa ishte parashikuar, si rezultat i rigjallërimit të sektorit të udhëtimeve, ndërtimit dhe industrisë nxjerrëse dhe rritjes së investimeve private, konsumit dhe shpenzimeve publike”. Ky është një nga konstatimet e raportit të vjeshtës së Bankës Botërore, publikuar ditën e sotme, për vendet e Ballkanit Perendimor, ku përfshihet edhe Shqipëria. Gjithashtu, BB konstaton se “rimëkëmbja është mbështetur nga politikat makroekonomike, megjithëse rritja e shpenzimeve publike ka çuar në një rritje të mëtejshme të raportit të borxhit ndaj PBB-së”.
Në gjetjet e saj, BB thekson se “rikuperimi i punësimit dhe pjesëmarrjes në forcën e punës ka qenë më i ngadaltë, ndërsa pagat reale janë në rritje”. Në parashikimet për të ardhmen, raporti paralajmëron se “pasiguria ekonomike mbetet e lartë në kushtet e rritjes sërish të rasteve të infektimit me COVID-19 dhe shkallës së ulët të vaksinimit”.
Gjithashtu në vijim të parashikimit për më tej, BB thekson se “Parashikimi për rikuperimin e fortë të ekonomisë me 7.2 për qind në vitin 2021 bazohet në vijimin e proçesit të vaksinimit, mungesën e mbylljeve të tjera për shkak të pandemisë, dhe vijimin e rimëkëmbjes të sektorit të shërbimeve, të udhëhequr nga turizmi dhe ndërtimi. Në planin kohor afatmesëm, konsumi privat parashikohet të jetë sërish nxitësi kryesor i rritjes së PBBsë. Investimet private mund të sigurojnë mbështetje të mëtejshme për rritjen ekonomike nëse zbatohen reformat për përmirësimin e klimës së biznesit. Ndërkohë, deficiti i llogarisë korrente pritet të zgjerohet në 9.4 për qind të PBB-së, pasi rritja e kërkesës për investime në infrastrukturë do të sjellë rritjen e importeve me 29 për qind në vitin 2021. Rikuperimi i eksporteve pritet të sjellë tkurrjen graduale të deficitit të llogarisë korrente deri në 7.0 për qind në vitin 2023. Eksportet e shërbimeve, përfshirë turizmin dhe zgjerimi i shpejtë i operacioneve të procesit të biznesit, duhet të çojnë në ngushtim të deficitit aktual të llogarisë në periudhën afatmesme”.
Rritja e fortë ekonomike pritet të nxisë rritjen e të ardhurave publike në 27.4 për qind të PBB-së gjatë viteve 2022–25. Pas vitit 2021, shpenzimet ka të ngjarë të tkurren për shkak të hapësirës së kufizuar fiskale, duke qenë se raporti i borxhit publik ndaj PBB-së parashikohet të rritet në 78.6 për qind në 2021, dhe më pas të ulet gradualisht në periudhë afatmesme.
Megjithatë, parashikimet ekonomike mbeten të pasigurta për shkak të rritjes së numrit të infektimeve ditore nga COVID-19 në këtë periudhë. Gjithashtu, shkalla e vaksinimit deri në gusht 2021 ishte vetëm rreth 20 për qind e popullsisë. Rivendosja e masave kufizuese për kontrollin e përhapjes së infektimeve do të vononte rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik dhe punësimit, veçanërisht në sektorët e shërbimeve dhe prodhimit. Sipas këtij skenari pesimist të rritjes ekonomike dhe në mungesë të përmirësimit të performancës në mbledhjen e të ardhurave, hapësira fiskale mund të vijojë të përkeqësohet.
Sipas këtij skenari, qeverisë mund t’i duhet të shkurtojë shpenzimet kapitale për të parandaluar një rritje të raportit të borxhit ndaj PBB-së. Për më tepër, varësia gjithnjë e më madhe tek financimi i jashtëm do të bëjë që rreziku i kursit të këmbimit, rreziku i normave të interesit dhe ai i rifinancimit të mbeten të lartë. Një nga prioritetet kyçe të reformës afatmesme është rritja e performancës në mbledhjen e të ardhurave dhe arritja e konsolidimit fiskal duke krijuar hapësirë për shpenzime që forcojnë rritjen ekonomike.