Arsimi i lartë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, ka potencial të pashfrytëzuar dhe performanca kërkimore e universiteteve është më e dobët krahasuar me Evropën, Shtetet e Bashkuara dhe Azinë Lindore. Kjo është një prej gjetjeve të Raportit të Bankës Botërore i vjeshtës 2024.
Sipas raportit, vetëm 9 universitete nga ECA renditen mes 500 më të mirëve në renditjen globale te Times Higher Education 2024.
Raporti bën thirrje për një reformim të thelle të sistemeve arsimore në të gjithë rajonin, veçanërisht në arsimin e lartë, për të nxitur talentet e nevojshme për të rigjallëruar rritjen ekonomike dhe për të përshpejtuar konvergjencën me vendet me të ardhura të larta.
Sipas të dhënave, rritja ekonomike në Evropë dhe Azinë Qendrore (ECA) ka të ngjarë të ulet nga 3.5% në 2023 në 3.3% këtë vit. Kjo është dukshëm më e dobët se rritja mesatare prej 4,1 % në periudhen e viteve 2000–19. Rritja këtë vit është nxitur nga politikat fiskale ekspansioniste dhe konsumi. Kërkesa e jashtme është më pak e favorshme për shkak të zgjerimit me të dobët ekonomik me partnerët kryesorë te tregtise, si Bashkimi Evropian. Rritja pritet të ngadalësohet më tej në vitin 2025, kryesisht për shkak të uljes e rritjes në Federatën Ruse dhe Turqi.
Vleresimi i cilësisë së arsimit të lartë në rajonin e Ballkanit Perendimor, me një mesatare prej 8.7 nga 100, thekson nevojën për reforma të guximshme dhe inovacion. Ky vlerësim është më i ulët krahasuar me Evropën dhe Azinë Qendrore (12.5), Bashkimin Evropian (28.8) dhe liderët globalë si Singapori (50.3). Serbia kryeson ne rajon me një rezultat prej 22.6, duke nxitur vendet fqinje për standarde më të larta.
Në mënyrë të ngjashme, niveli i popullsise me arsim të lartë — aktualisht 29% mes të rriturve të moshës 30–34 vjeç—mbetet sërish prapa mesatares së ECA prej 33% dhe asaj të BE-së prej 43%. Për Shqipërinë, rezultati prej 23.5%, thekson nevojën për reforma të targetuara dhe investime.
Shqetësim tjetër i përbashkët në të gjithë vendet e ECA është emigrimi i punëtorëve të kualifikuar. Më shumë se një e treta e personave me arsim të lartë emigrojnë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Moldavia, Maqedonia e Veriut etj. Zakonisht kjo lëvizje ndodh nga vendet me të ardhura më të ulëta drejt vendeve me të ardhura më të larta.
Fuqizimi i arsimit të lartë është thelbësor për tranzicionin e Ballkanit Perëndimor drejt ekonomive të bazuara në inovacion dhe për aspiratat për t’u bërë rajon me të ardhura të larta. /ekofin.al
