Në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, kryeministri Edi Rama zhvilloi sot, 3 prill, takim me kryetarët e bashkive në Pallatin e Kongreseve. Në nisje të mbledhjes, foli ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, duke u ndalur te një nga nismat-prioritet, “Paketa e Maleve”.
“Do të jap ca lajme të mira për disa bashki që tashmë janë në fazën 45-ditore të shpalljes publike të aplikimeve. Ne do të kemi shumë shpejt në javët që kemi përpara, miratimin në Këshillin Bashkiak, duke nisur me bashkinë Shijak, Shkodër dhe jo vetëm. Jam i bindur që me këtë ritëm, atë që kemi diskutuar së bashku për targetin për secilën bashki, e shoh totalisht të realizueshme”, deklaroi Demo.
“Kemi 272 zona prioritare në 32 bashki dhe numri i aplikimeve është miratuar, mbi 500 dhe jam i bindur se ky numër do vijojë të rritet”, shtoi ai.
Sa i takon problematikës me parkimet, sidomos në qytetet me flukse turistike, tha se është diskutuar për evidentimin e hapësirave ku potencialisht mund të ndërtohen ato.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, theksoi që në krye të herës se prioritetet e vëna më herët u takojnë të gjitha bashkive dhe që kanë një rëndësi të drejtpërdrejtë për qytetarët.
“Këtu kam një listë, jo sipas rëndësisë, por sipas kohës në të cilën këto gjëra janë vendosur në agjendën e punës tonë të përbashkët. Ashtu sikundër në këtë listë janë disa gjëra një pjesë të cilave i preku Demo dhe që kanë të bëjnë me hapat e mëtejshëm”, tha Rama.
Një tjetër pikë e rëndësishme për kreun e qeverisë është edhe puna që ka nisur për të finalizuar sistemin e adresave. “Angazhohuni seriozisht”, porositi kryebashkiakët, në një proces që do të udhëhiqet nga Demo.
Problemi me zjarret
“Kemi një projekt lidhur me mobilizimin e një financimi të nevojshëm dhe duke shfrytëzuar kapacitetet e kompanisë që është një shoqëri e përbashkët shtetërore dhe private e krijuar së fundmi në sistemin tonë të Ministrisë së Mbrojtjes. Do vëmë në dispozicion të bashkive automjetet zjarrfikëse!
Laboratorët në shkolla
“Sot që flasim janë mbi 300 dhe me programin tonë do shkojnë në mbi 1 mijë. Duhet të jenë edhe laboratorë të mësimit të teknologjisë pas mësimit. Duhen angazhuar bashkitë për një sistem që t’u jepet mundësi fëmijëve, të rinjve që të kenë akses në këto laboratorë.”
Legalizimet
“Është e domosdoshme që bashkitë të angazhohen dhe kemi lënë një detyrë për Kadastrën, që në bashkëpunim me çdo bashki, të ndërtojnë planet prioritare të legalizimit, në mënyrë që të kalendarizojmë procesin, ta bëjmë më të lehtë për aplikuesit, duke vendosur një sistem. Duhet hapur një zyrë e ndihmës juridike për Kadastrën!”, deklaroi kryeministri me tone disi më kritike.
“Ndërkohë, njësitë administrative i kanë hapur zyrat ose aksesin për t’u shërbyer qytetarëve për e-Albania, por edhe në këtë aspekt, nuk dua të bëj shembuj se ky apo ai, jo të gjithë bëjnë gjënë e duhur!”, shtoi ai.
“Janë 5 milionë euro të investimeve nga persona në emigracion që e kanë marrë këtë mesazh, se besoj e keni ndjekur që interesi është i madh”, tha Rama për “Paketën e Maleve”.
Më tej, foli edhe për trashëgiminë kulturore.
“Për muzetë, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka nisur një proces të bukur për të muzeualizuar godinat historike. Në çdo bashki, shumicën dërrmuese të paktën! Në Tiranë kemi shumë godina të vjetra, kemi edhe disa jashtë Tiranës, shikojini, përcaktojini si kandidatura për të hyrë në këtë proces”, u tha kryetarëve të bashkive, në mënyrë që të rriten atraksionet turistike.
“S’kemi një muze të rakisë, verës shqiptare apo vajit të ullirit, që i kemi me lloj-lloj variantesh. Identifikoni shtëpitë që kanë potencial të bëhen muze, që duhen shpëtuar nga rrënimi, që plotësojnë kriteret”, ishte një nga porositë e tij kryesore.
Njoftoi se do të ngrihet një task-forcë për mbledhjen e mbetjeve, mes qeverisë dhe pushtetit vendor në mënyrë që të ketë një plan deri në afatgjatë, nga sensibilizimi masiv e deri te hapat që duhen ndërmarrë për pastrimin total të qyteteve. “Do të rrisim kapacitetet e brendshme”, nënvizoi Rama, ndërsa bëri me dije se në fokus është edhe forcimi i strukturës së arsimit profesional. Në këtë drejtim, u kërkoi kryebashkiakëve që të jenë sa më aktivë.
“Punët t’i bëjmë të gjitha dhe sa më mirë”, ishte fjalia përmbyllëse e kryeministrit./Klan tv
