Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nga viti 2014 qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion të transformimit rrënjësor të sektorit të ujit 1.2 miliard euro, por sipas tij, “rritja e investimeve nuk mund të përkthehet në rritje të humbjeve”.
Në një takim me kryebashkiakët për analizën e performancës së sektorit ujësjellës – kanalizimeve, Kryeministri tha se “këtu hyjnë fondet e buxhetit të shtetit dhe fondet e akorduara nga partnerët, të cilat janë kredi që duhen paguar”.
Sipas tij, “shuma që qeveria shqiptare, me këto dy burime, ka vënë në dispozicion të transformimit rrënjësor të sektorit të ujit është mbi 1 miliard euro, saktësisht 1 miliard e afro 200 milionë euro”.
“Këtu unë kam 3 pyetje për kryetarët e bashkive. Pyetja e parë: A jeni ju në dijeni të performancës së ujësjellës-kanalizimeve në bashkinë tuaj, të shërbimit që ndërmarrjet e ujësjellësave ofrojnë për qytetarët? A i keni parë ndonjëherë vetë raportet që pastaj i ktheni këtu, ja jepni qeverisë si vetëdeklarime të performancës me të gjitha të dhënat për orët e furnizimit, numrin e faturimeve, numrin e arkëtimeve, numrin e punonjësve? Sa fonde keni alokuar ju nga buxheti i bashkisë për furnizimin me ujë?”, iu drejtua Rama kryebahskiakëve në këtë takim.
Rama tha se “faktet flasi vetë, por fakti i fundit që ishte si pika që ka përmbysur këtë kupë është fakti se ne rrisim investimet dhe bashkitë rrisin humbjet dhe pastaj janë qytetarët që me të drejtë ankohen”.
Kryeministri tha se “rritja e investimeve nuk mund të përkthehet në rritje të humbjeve, por duhet të përkthehet në një shërbim shumë më të mirë për qytetarët, ulje të humbjeve dhe sens përgjegjësie për atë gropë që i është hapur mu në zemër këtij shteti nga keqadministrimi i ujit për 30 vjet, e cila nuk mbyllet dot menjëherë”.
“Po marr kampionin, bashkinë e Vlorës me 78.9% humbje. Çfarë do të thotë kjo? Domethënë një kompani e falimentuar si një piramidë që vazhdon merr para nga shteti dhe si një lapidar abuzimi me faktin se uji është jetik dhe nuk është një mall që mund të trajtohet si çdo mall tjetër kur vjen puna te domosdoshmëria për ta pasur ujin në familje. Si mund të vazhdojë kështu kjo histori? Si mundet që këta drejtora ujësjellësash të jenë akoma në punë?”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “qartësisht kemi një problem administrimi dhe keqqeverisje, sëmundje kronike e shumë viteve, por ne nuk mundemi më ta pranojmë si të tillë dhe të mos ndërhyjmë për ta përmbysur këtë tendencë”.
Kryeministri tha se “këtu abuzimin më të madh nuk e bëjnë konsumatorët familjarë, por bizneset, hotelet dhe ata që kanë më shumë, jo ata që kanë më pak”.
“Nuk u vjen e keqja ujësjellësave nga familjet në nevojë që janë edhe të mbështetura nga shteti për këtë. Kjo gjendje është në kufijtë e absurditetit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë paralajmëroi se Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës do të ndërhyjë menjëherë për të thyer tendencën, duke ndërtuar një proces ndërveprimi me partnerët dhe me kryetarët e bashkive dhe për të riorganizuar komplet të gjithë sistemin me themel.
“Kemi ndërmarrje ujësjellësi që nuk mbulon as a pagat, as sigurimet shoqërore dhe që mban me borxhe lista të tëra punonjësish. Kjo është pasqyra më dëshpëruese e papërgjegjshmërisë. Madje edhe Korça dhe Pogradeci që janë në një stad tjetër se kanë pasur shumë herë më shumë financime në të shkuarën si paguajnë dot kreditë. Por, këtu nuk jemi në kushtet kur po kërkojmë që ndërmarjet të paguajnë vetë kreditë, por në kushtet kur po kërkojmë të ndalojë kjo hemoragji papërgjegjshmërie dhe të ndryshohet ky film që vazhdon me kosto për shtetin dhe qytearët”, tha Rama.
Sipas tij, “janë mbi 1 miliard euro investime të qeverisë bashkë me parnerët për ta zgjidhur njëherë e mirë çështjen e furnizmit me ujë, por si mund të shkojë uji 24 orë te qytetarët kur humbjet në rrjet nga vjedhjet, nga mosarkëtimet dhe patjetër edhe për arsye teknike, shkojnë si në Vlorë, gati 80%”.