Brenda pak muajsh paga e mësuesve do të arrijë 950 euro, por kjo nuk mjafton tha kryeministri Edi Rama, ndërsa premtoi një reformim të sistemit të pagave, ku do të ketë nivele të ndryshme pagash sipas meritës.
“Pagat së shpejti brenda pak muajsh mesatarisht do shkojë në 950 euro, por nuk mjaftojnë prandaj na duhet të reformojmë sistemin. Për shembull mekanizmin e rritjes së pagës çdo 5 vjet duhet ta reformojmë tërësisht, përveç pagesës uniformë të ketë dhe nivele të ndryshme pagash sipas meritës, kontributit dhe kualifikimeve. Për këtë na duhet sistem i besueshëm kualifikimesh e trajnimesh e kreditesh”.
Deklarata e kryeministrit u bë gjatë prezantimit të Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve nga Ministria e Arsimit.
Në këtë program përfshihet portofoli dixhital për mësuesit ku do të regjistrohen kreditet e trajnimit të mësuesve si dhe parashikohen rolëe të reja në shkollë, siç është edhe mësuesi mentor, tha ndër të tjera ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu.
“Brenda shkollës do të ketë mësues mentor I cili do I dedikohet tërësisht profesionalizmit të mësuesve dhe fuqizimin e kolegëve të tij. Synojmë të formohet rrjeti i mentorëve dhe lidershipit të shkollës”.

