Kryeministri Edi Rama, gjatë punimeve të Kongresit të PS-së, foli mbi një projekt pilot që do të zbatohet në Divjakë. Sipas tij, me këtë model do të monitorohet çdo metër katror i tokës bujqësore të Shqipërisë dhe do të bëhet komplet transparencë për të gjitha subvencionet e shtetit që të shkojnë aty ku toka punohet dhe të gjitha investimet e shtetit për infrastrukturën e bujqësinë.
“Do ta pilotojmë në Divjakë për bujqësinë dhe po bëjmë të mundur që përmes sensorëve, dronëve e kamerave në fusha e sera të informohen fermerët në kohë reale për sëmundjet, dëmet që i kanosen bimëve, kushtet e kultivimit, lagështinë, temperaturën etj”, tha Rama.
Në vazhdim Rama foli edhe për përfshirjen e inteligjencës artificiale në sistemin gjyqësor.
“Sistemi i ri gjyqësor ka një mentalitet aq të vjetër saqë edhe tenderët për shërbimet e internetit mendon se janë të pavarura nga shteti dhe gjithë sistemi shtetëror i të dhënave. Me inteligjencën artificiale ne mund të bëjmë një përshpejtim eksponencial të gjithë proceseve, trajtimit të dosjeve e ngarkesave e me radhë”, tha Rama.
Një fenomen i cili do të luftohet përmes inteligjencës artificiale është edhe evazioni fiskal, sipas Kryeministrit.
“Një tjetër drejtim ku do ta përdorim tani menjëherë nga janari është evazioni me transaksionet financiare të të gjitha niveleve. Sistemi ynë i fiskalizimit të gjithë biznesit ka nevojë për monitorim sepse ju e dini se kur shkoni për kafe rrallëherë ju jepet kuponi. Ashtu sikundër një pjesë të transaksioneve shmangen. Nuk do të shmangen dot më dhe të gjitha këto janë luftë kundër korrupsionit, përmirësim i cilësisë të qeverisjes në të gjitha nivelet”, përfundoi ai.
