Kryeministri Edi Rama në konferencën e fundvitit me gazetarët u ndal në një sërë çështjesh, duke komentuar në veçanti zhvillimin e vendit dhe shifrat e turizmit dhe pasagjerëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Rama e krahasoi Rinasin “me një kotec pulash”, ndërsa theksoi se tani është kthyer në aeroportin më të rëndësishëm të rajonit. Kjo sipas kreut të qeverisë, falë investimeve që janë bërë dhe shndërrimit të turizmit dhe aeroportit në nivel e standarde ndërkombëtare.
“Sot jemi në një stad të ri, edhe ky i pamendueshëm disa vite më parë, ku në aeroportin e Rinasit, në nëntor mbyllet bilanci me 10 mln pasagjerë. Sot kemi aeroportin e dytë më të madh në rajon, mbi Beogradin, që ka qenë qendra e rajonit e që e ka pasur kryesorin, kurse ne kishim një kotec pulash, ku pulat numëroheshin në mëngjes kur dilnin dhe në darkë kur hynin në kotec. Kështu ka qenë e vërteta, unë e kam parë, kam qenë një nga pulat kur kemi shkuar në takime ndërkombëtare. Me tavolina druri dhe mbulesa katrore tekstil, dhe një banakier dhe kamerier, për terminalin po flas. Ai ku shkoni ju, kaq ka qenë. Përfytyroni kur shkoni ju atje zhurmë kafeneja, ikni ju, bosh kafeneja. Ky ishte aeroporti i Rinasit dikur, e solli koha, kjo është puna kolosale që është bërë. Për ekonominë dhe turizmin, siç e thashë edhe më parë, ne nuk shohim ç’po ndodh sot, por se çfarë vjen nesër, për të rritur edhe kapacitetet.”
Rama: 2024, viti i hapjes së negociatave për anëtarësim në BE
Fjalën e tij e nisi duke falenderuar skuadrën shqiptare, falë të cilës u bë çelja e negociatave për anëtarësim në BE. Këtë vit Shqipëria ia ka dalë të mos jetë më në fazën e monitorimit të plotë të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës.
Çeljen e negociatave për anëtarësim në BE, praktikisht të dy grupkapitjve shumë të rëndësishëm duke nisur që nga themeloret që janë grupi i grupeve dhe pastaj edhe marrëdhëniet me jashtë. Është me rëndësi të theksoj këtu diçka që e ketni dëgjuar, që ky proces i jashtëzakonshëm për nga volumi i punës intensiteti dhe cilësia do ishte i pamundur nëse një skuadër e madhe kombëtare e Shqipërisë, me qindra e qindra punonjës të administratës, nuk do kishin bërë më parë punën e shkëlqyer me screening. Shqipëria ka dalë pas 29 vitesh nga faza e monitorimit të plotë të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës. Nuk jemi më një vend në monitorim të plotë. Nga sot deri në vitin 2027 do të marrim rreth 1 miliard euro”, tha Rama.
“Luftë korrupsionit, përmes digjitalizimit dhe modernizimit”
Lufta kundër korrupsionit është luftë për modernizimin e shtetit tha Rama duke vënë theksin tek digitalizimi i Kadastrës.
Tumori i Shqipërisë ka qenë korrupsioni endemik në çdo hap për çdo gjë, çdo dokument. Sot panorama është tjetër. Ka mbetur vetëm një gur i fundit i këtij mozaiuku për ta mbyllur periudhën otomane të transaksioneve të qytetarit me shtetin, që është përfundimi i projektit të futjes së kadastrës në këtë sistem të teknologjisë. Kemi angazhuar fonde të veçanta, sepse është punë komplekse dhe kërkon shumë njerëz që të vihen në dispozicion”.
Rama: Reformë pensioneve, jo gropë si Sudja”
Rama u ndal dhe tek reforma e pensioneve duke akuzuar Berishën se në kohën e qeverisjes “krijoi një gropë të padukshme si e Sudes dhe e Vehbiut”. “U ngritën së prapthi në çerek shekulli nuk mund të korrigjohen e të kthehen së mbari në një dekadë është teorikisht e pamundur. Ajo që është bërë me pensionsitëve, nga pikëpamja e padrejtësisë pabesisë, brutalitetit dhe dritëshkurtësisë është shumë e ngjashme me atë që është bërë me piramidat, por me efekt në kohë e në formën e stresit mbi të gjithë ata që janë viktimë e asaj. Mos ia falni shkaktarëve” tha Rama.
Një fokus në fjalën e tij të fundvitit, kryeministri Edi Rama e vendosi tek pensionistët. Rama tha se bonusi i pranverës do jetë i përhershëm. Rama tha se reforma e pensioneve e ndërmarrë para vitit 2014 ka krijuar një sistem të padrejtë, ku pensionistët që kanë punuar të njëjtën punë dhe kanë po të njëjtat vite pune, marrin pensione të ndryshme. Ai theksoi se qeveria e kaluar shkatërruan sistemin e pensioneve dhe nuk e ngriti atë, duke trajtuar pensionet si lëmoshë dhe duke sabotuar sigurimet shoqërore.
“Administrata publike e transformuar, por ende s’kemi përfunduar”
Kryeministri Edi Rama foli edhe për transformimin e administratës dhe luftën ndaj korrupsionit për shërbimet që qytetarët merrnin në sportelet apo zyrat e institucioneve. Gjithashtu ai u shpreh se tani vendi është avangardë e sistemit teknologjik dhe të shërbimeve, sidomos me asistentin virtual, që tani edhe do përgjigjet fizikisht në shërbime dhe jo vetëm virtualisht. Rama tha se e gjeti administratën rrugëve dhe gjithashtu ‘rrugët rrugëve’, me tenderë të zhvilluar për punime të pakryera dhe borxhe të trashëguara që kërkuan kohë për shlyerje.
Në fund ai përmendi edhe zhvillimin teknologjik apo hapin e fundit që i ka mbetur administratës në shërbime online dhe teknologjike, Kadastra. Duke e krahasuar të kaluarën si një epokë otomane ku për të marrë një shërbim duhej paguar ryshfet dhe energji, Rama tha se tani edhe Kadastra do të kthehet në shërbim avangardë, fal investimeve që do kryhen. Kryeministri theksoi rëndësinë dhe transformimin e shërbimeve online, duke kujtuar se e-Albania tani ka 3 milionë e 250 mijë përdorues, që kanë kryer 9,9 mln shërbime dokumentare me vulë për qytetarët.
“Në 2027, Tirana do të presë Samitin e Nato-s”
Në konferencën e fundvitit me gazetarët, kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek dy samitet që pritet të mbahen në Shqipëri. Rama tha se më 16 maj 2025, Shqipëria do të mirëpresë Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Sipas Ramës, kjo është një arritje që reflekton respektin dhe vlerësimin ndërkombëtar për Shqipërinë.
Po ashtu, Rama tha se Tirana do të jetë mikpritëse e Samitit të NATO-s në vitin 2027. Përgatitjet për këtë ngjarje madhore kanë nisur, duke përfshirë inspektimin e infrastrukturës dhe logjistikës në bashkëpunim me NATO-n. Rama tha se pjesë e këtij samiti do jetë edhe presidenti i SHBA, Donlald Trump.